Rajoni

Kosovë/ Miratohet pa asnjë votë kundër rezoluta për mosliberalizimin e vizave!

Me 65 vota pro, legjislativi i Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga AAK për liberalizimin e vizave.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka njoftuar se kjo rezolutë nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Konjufca: Me 65 vota për miratohet rezoluta e propozuar nga AAK.

“Konstatoj që me 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por i harmonizuar dhe i mbështetur nga të gjitha grupet tjera parlamentare, rezolutën në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar kryeparlamentari Konjufca.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Enver Hoxhaj ka pasur një propozim, sipas Kosovapress.

Hoxhaj: Komisioni për Integrime të prodhojë një kronologji të ngjarjeve se çfarë ka ndodhur me liberalizimin e vizave

“Propozimi im është që meqë është konsumuar debati, Komisioni për Integrime Evropiane të prodhojë një kronologji të mirë të ngjarjeve se çfarë ka ndodhur deri më tani në raport me liberalizimin e vizave. Të votohet ajo kronologji, ajo rezolutë dhe në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe iu shkon shteteve nacionale. Sepse, siç e dimë janë institucionet e BE-së të cilat janë në favor edhe parlamenti dhe komisioni, por janë disa shtete të cilat kanë hezitim serioz në raport me këtë temë”, ka thënë ai.

Përmes rezolutës së AAK-së, kërkohet që qeveria të formojë një platformë nacionale e cila parashikon veprimet e Kosovës karshi vendimeve të BE-së në raport me liberalizimin e vizave.