Rajoni

Kosovë, miratohet paga shtesë për punonjësit e shëndetësisë!

Qeveria e Kosovës miraton shtesën e pagesës prej 10 për qind për punonjësit e shëndetësisë. Gjatë mbledhjes së sotme u vendos që kjo “kjo pagesë do të bëhet për periudhën janar-qershor 2022”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se “vendi po përballet me një valë të shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit”. Një ditë më parë, Kosova regjistroi 2.707 raste me koronvirus e gjendja me pandeminë është rënduar.

Numër kaq të lartë të rasteve në ditë nuk kemi pasur që nga muaji gusht i vitit të kaluar kur e kishim situatën shëndetësore shumë të rënduar. Madje, janë tejkaluar shifrat e gushtit. Gjendja është e rënduar edhe tani. Kjo rritje e shpejtë e rasteve rrit numrin e shtrimeve në spitale dhe ngarkesën mbi sistemin tonë shëndetësor e mund të rezultojë në më shumë vdekje. Na duhet të kujdesemi si për shëndetin e popullsisë, ashtu edhe për kapacitetet e shëndetësisë!

Të shtunën e kaluar, Kosova regjistroi 3.206 raste, shifër rekord e infektimeve ditore që prej fillimit të pandemisë. Kurti iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit e të respektojnë masat! Më 22 janar, në Kosovë hynë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, ku përfshihet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit. Po ashtu, çdo person që hyn në Kosovë duhet të paraqesë dëshminë e vaksinimit me tre doza të vaksinës ose me dy doza dhe test negativ PCR.

Në një tjetër zhvillim po nga Kosova, me moton: “Asnjë cent ma shumë”, sot në Prishtinë protestohet kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Protesta e nisut te sheshi “Zahir Pajaziti”, vazhdon deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Pas dy ditësh, pritet vendimi i kabinetit Kurti për të miratuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Eletrike për rritjen e tarifës nga 1 shkurti i këtij viti deri në muajin mars të 2023-shit.