Rajoni

Kosovë, opozita thirrje qeverisë të tërheqë draftin për pagat!

Opozita në Kosovë sërish bëri thirrje që “projektligji për pagën minimale të hiqet nga rendi i ditës, nesër në seancën e radhës së Kuvendit”. Shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së, Abelard Tahiri e Besnik Tahiri, e quajtën “diskriminues”, draftin për pagat.

Lënia jashtë e kategorisë më të ndjeshme në vendin tonë, pra veteranëve të Republikës së Kosovës është një çështje, të cilën në asnjë rrethanë, ne si grupe parlamentare të opozitës, nuk do ta përkrahim.

E shohim si ligj diskriminues, totalisht të pamatur dhe që i dëmton në thelb veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kategori e nderuar në vendin tonë.

Rritja e pagës minimale, nga 170 në 264 euro bruto (250 neto) është shoqëruar me disa ndryshime ligjore të Qeverisë së Kosovës. Veteranët e UÇK-së protestuan më 6 qershor, para selisë së Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale. Pensioni i tyre nuk ka qenë më poshtë se paga minimale në Kosovë, pra 170 euro aq sa marrin aktualisht.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati theksoi se “nuk është se shteti jep pak për veteranin, por në pjesë i janë futur të tjerë që ndoshta mund të mos jenë veteranë”.

Ky është problemi që kemi ngritur si Qeveri. Edhe kryeministri Kurti ka thënë se duhet të bëhet një pastrim i listave.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” shprehen se “pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listave, nuk mund të bëhet”.

Më 26 prill 2022, Gjykata e Apelit, ktheu në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”. Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe të konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19 mijë e 500 persona u dha statusi i veteranit, në mënyrë të paligjshme.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53 mijë e 188 vetë, ndërsa sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37 mijë e 6 persona janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.