Rajoni

Kosovë, Osmani e Kurti zhvillojnë homazhe në Prekaz/Në Prishtinë nderohen Thaçi e Veseli!

Në Kosovë, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, zhvilluan homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për të nderuar të rënët e familjes Jashari.

Presidentja Osmani:

Jemi këtu sot më 28 nëntor, për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por vazhdoi edhe me shumë sakrifica të shqiptarëve për liri. Prandaj, sot e filluam ditën tek komandanti Adem Jashari dhe familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre, sepse 28 Nëntori, përveç simbolikës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është edhe datë kur ka lindur komandanti Adem Jashari e kur për herë të parë doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Albin Kurti vlerësoi se 28 Nëntori lidhet me ngjarje të rëndësishme historike.

Datë themelore e identitetit kombëtar-shqiptar e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat. Prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz dhe padyshim që kjo është ditë, e cila na mbush me gëzim, me krenari e përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh, për të ngritur mirëqenien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin, për të shtuar demokracinë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë!  Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim!

Në hyrje të Prishtinës, disa të rinj e ish-luftëtarë të UÇK-së, në mënyrë simbolike, ngritën një flamur të madh me fotografitë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Kemi vendosur një flamur me fotot e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.  Kjo ditë lidhet me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe UÇK-në që për herë të parë doli në skenë në Kosovë. E veçanta e kësaj dite është edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari.