Rajoni

Kosovë, përmirësohet situata epidemiologjike, 7 raste të reja dhe 1 viktimë!

Përmirësohet ndjeshëm 24 orët e fundit situata epidemiologjike në Kosovë, ku kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin 7 qytetarë. Ndërkohë vetëm një pacient nuk ka arritur ta fitojë betejën me virusin.

Aktualisht në të gjithë vendin janë 2.044 raste aktive, ku numrin më të lartë të pacientëve aktivë e mban Prishtina, përkatësisht me 347 prej tyre.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orë janë shëruar 199 qytetarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 155.194 që prej fillimit të pandemisë.

Fatkeqësisht në total numri i viktimave ka shkuar në 2.962, ndërsa ai i infektimeve në 160.193.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 5.041 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkohë që gjithsej janë vaksinuar 1.379.793, ku prej tyre 567.280 i kanë marrë të dyja dozat.