Sport

Kosovës i vjen e dyta Medalje Ari në Tokio, kësaj here nga Nora Gjakova!

Në Lojërat Olimpike të Tokios, Kosova vishet sërish në ar falë sportisteve të talentuara!

Xhudistja Nora Gjakova fitoi sot Medaljen Olimpike të Arit pasi në finale mposhti francezen Sarah-Léonie Cysique në kategorinë deri në 57 kilogramë. Për Kosovën, kjo është e dyta Medalje Ari në Tokio.

Në konferencën për shtyp, Gjakova shprehu falenderime:

Për këtë sukses falenderoj Zotin, trajnerin Driton Kuka, skuadrën dhe të gjithë që na mbështetën! Nuk kam ndonjë dedikim për këtë medalje, por ju kushtohet në përgjithësi të gjithëve!

Të shtunën, xhudistja Distria Krasniqi e fitoi në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Gjithashtu është hera e dytë që vendi merr pjesë në Lojërat Olimpike. Në “Rio 2016”, xhudistja Majlinda Kelmendi siguroi Medalje Ari. Por dje, Kelmendi zhgënjeu dhe u eliminua që në raundin e parë. Pas kësaj disfate, Kelmendi i dha lamtumirën xhudos si sportiste duke lënë pas një karrierë të ndritur ku numëron 29 Medalje Ari, 6 Argjendi e 9 Bronzi. Si xhudiste u shpall 4 herë kampione Europe dhe 2 herë, Bote.

Kësaj here, Kosova përfaqësohet nga 11 sportistë në 6 sporte në Olimpiadën e shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë koronavirus. Prej fillimit të muajit ka shkuar në 153, numri i personave që kanë lidhje me Olimpiadën e Tokios dhe rezultuan me COVID, përfshirë 19 atletë. 16 prej rasteve i përkasin 24 orëve të fundit. Disa prej të prekurve janë banorë të Fshatit Olimpik dhe u zhvendosën prej andej për t’u sistemuar në hotele karantinë.