Aktualitet

Kostot e jetesës në Shqipëri sa 35.5% e shpenzimeve për të jetuar në Nju Jork!

Sipas përllogaritjeve të “Numbeos” databazës më të madhe në botë për kostot e jetesës, në raport me Nju Jork-un, kostoja e jetesës në Tiranë në janar të këtij viti, rezultoi 5 pikë përqindje më e lirë se vitin e kaluar. Mes 136 shteteve, Shqipëria u rendit e 99-ta, me përmirësim 10 vende nga janari 2021 (numri 1 është më i shtrenjti). Përllogaritjet e këtij viti tregojnë se në Shqipëri, kostot e jetesës janë sa 35.5% e shpenzimeve që duhen për të jetuar në Nju Jork (pa përfshirë Tiranën ishin sa 40.5% e mesatares së Nju Jorkut).

Në raport me vetveten, Shqipëria nuk është bërë më e lirë për të jetuar në vitin 2022, por çmimet në Nju Jork janë rritur me ritme më të shpejta se në Shqipëri. “Numbeo” përllogarit kostot e jetesës kudo në botë në raport me qytetin e Nju Jorkut, që do të thotë se për qytetin e Nju Jorkut, çdo indeks duhet të jetë 100%. Për shembull, nëse një qytet tjetër ka indeksin e qirasë 120, kjo do të thotë që mesatarisht në atë qytet, qiratë janë 20% më të shtrenjta se në Nju Jork. Në rast se një qytet ka indeksin e qirasë prej 70, nënkupton se qiraja mesatare në atë qytet është 30% më e lirë se në qytetin e Nju Jorkut.

Në raport më rajonin, Shqipëria ishte vendi më i shtrenjtë pas Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës. Maqedonia e Veriut dhe Kosova ishin më të lira se Shqipëria. E 134-ta, Kosova rezulton më e lira në Europë dhe ndër 6 vendet më të lirë në botë, me 27% të mesatares së Nju Jorkut. “Numbeo” përllogarit se kostot mujore të një familjeje me katër anëtarë në Shqipëri janë 167.392 lekë, pa qiranë. Kostot mujore për një person të vetëm janë 47.720 lekë, pa qiranë.

Në krahasim me SHBA-të, kostoja e jetesës në Shqipëri është mesatarisht 49.05% më e ulët, ndërsa qiraja në Shqipëri është mesatarisht 79.41% më e ulët se në Shtetet e Bashkuara. Në Tiranë, kosto e jetesës në janar 2022 përllogaritet 7.5% më e lartë se mesatarja kombëtare, pasi kostot mujore të vlerësuara për një familje prej katër anëtarësh janë 179,619.35 lekë pa qira dhe kostot mujore për një person të vetëm janë 50,941.26 lekë, pa qiranë. Tirana është 61.05% më e lirë se Nju Jorku (pa qira). Qiraja në Tiranë është mesatarisht 88.73% më e ulët se në Nju Jork.

Indeksi i kostos së jetesës (pa qiranë) është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë ushqimet shpenzimet për restorantet, transportin dhe shërbimet komunale. Në botë, mes 10 vendeve më të shtrenjta janë Bermuda, Zvicra, Norvegjia, Islanda, Barbados, Jersey, Izraeli, Danimarka, Bahamasi e Singapori. Shtetet më të lira janë Algjeria, Kolumbia, India, Afganistani, Pakistani./Monitor