1këngëx2

Kozeta Kurti rrëfen kujtimet nga Top Albania Radio!

Një ditë e veçantë sot për Top Albania Radio, teksa pikërisht në Ditën e të Dashuruarve 24 vite më parë, më 14 shkurt 1998, u krijua radio më e madhe në Shqipëri. “1këngëx2” erdhi sot emision maratonë me të ftuar shumë specialë, live dhe në lidhje telefonike për të na njohur me kujtimet e tyre të bukura apo me çastet e vështira që kanë kaluar në Top Albania Radio.

E ftuar ditën e sotme në studio ishte Kozeta Kurti për të rrëfyer kujtimet e saj dhe emocionet e forta që ka përjetuar në TAR. Ndërkohë, Kozeta zgjedh të mos e urojë TAR “Edhe 100 vite të bukura”, pikërisht për një arsye shumë të veçantë.

Për nje medium si TAR nuk mjafton “Edhe 100” sepse ajo do jetojë edhe kur të ikim ne e fëmijët tanë, ajo do i rezistojë viteve.

Duke vlerësuar mundësinë e artë për të qenë pjesë e TAR, Kozeta Kurti shprehet mirënjohëse për pasaportën e saj, siç ajo e quan radion.

Unë e kam thënë gjithmonë, TAR është pasaporta ime e punës, edhe pse jam larguar në vitin 2007, por pasi u largova në fillimet e mia të reja pas TAR mbeti pasaporta ime. Nuk besoj se ka ndjesi më të mirë se rekomandimi, ne i dhamë njëra-tjetrës. Unë punova në TAR sepse mendoj që e kam merituar, por kam qenë edhe me fat. E konsideroj veten time me talent dhe punëtore, por edhe me fat.

Gjithashtu, ajo thekson një detaj të veçantë që me siguri të rinjtë e sotëm duhet ta dinë, për të mësuar rëndësinë dhe vlerën e Top Albania Radio.

TAR ishte destinacion turistik, ishte pjesë e guidës së delegacioneve të huaja.

E teksa në një lidhje telefonike ishte Mimoza Picari, një tjetër figurë e rëndësishme e Top Albania Radio, Kurti përfitoi për t’i shprehur mirënjohjen dhe falenderimet asaj.

Gazetarja ime e preferuar për mënyrën si krijoi strukturën, shkolla ime e vërtetë praktike e para në historinë time në gazetari në terren është Mimoza Picari, për kronikat dhe specialet që më mësoi.