Aktualitet

KPK shkarkon Enkeleda Kapedanin, gjyqtaren që sfilonte në gjykatë!

Me shumicë votash, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani. Pasi analizoi provat dhe faktet, trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi vendosi të mos e konfirmojë në detyrë. Mësohet se rezultoi me probleme në të tre kriteret e vlerësimit që kanë të bëjnë me pasurinë, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.

Rreth një vit më parë, në qershor 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi pezullimin e Kapedanit, deri në përfundim të hetimit disiplinor të nisur ndaj saj, për shkak të publikimit të videove në rrjetin social TikTok ku shfaqej duke sfiluar në mjediset e gjykatës.
Enkeleda Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit.

Në janar të këtij viti, nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD bëhej e ditur se:

Magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, ka kërkuar ndjesë, si dhe ka shfaqur pendesë lidhur me aktet e kryera nga ana e saj. Magjistratja ka depozituar me shkrim dorëheqjen e saj nga pozicioni i zëvendëskryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si shenjë reflektimi ndaj shkeljes disiplinore të kryer nga ana e saj.

Gjyqtarja ka pohuar se në çastet e para është gjendur përballë një presioni shumë të madh psikologjik, familjar, mediatik dhe institucional, të cilat në tërësinë e tyre ndikuan edhe aftësinë e saj për të perceptuar realitetin dhe mënyrën e reagimit ndaj tij. Magjistratja ka deklaruar se periudha e pezullimit deri më sot i ka shërbyer për të reflektuar thellë rreth situatës dhe të ndjejë një peshë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për atë çfarë ka ndodhur, duke e bërë më të kujdesshme në jetën e saj private.

Magjistratja ka qenë bashkëpunuese dhe nuk ka qenë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit të nevojshëm. Më dt.05.01.2022, ILD dhe magjistratja u dakordësuan për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët të pranimit, për caktimin ndaj magjistrates E.K. të masës disiplinore “Pezullim” me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj, parashikuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shkelje të Kodit të Etikës Gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.