Aktualitet

KQZ letër tre institucioneve për parandalim të veprave penale në fushën e zgjedhjeve!

Tre ditë nga zgjedhjet vendore të 14 Majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ i dërgoi një letër Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut e Policisë së Shtetit duke u kërkuar këtyre institucioneve të koordinohen për të parandaluar çdo incident në votime. Po ashtu, KQZ-ja iu kërkon të jenë në gatishmëri nga tani e deri në mbarim të zgjedhjeve, që të parandalohet çdo krim zgjedhor.

Në njohje dhe respektim të kompetencës dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej institucioneve që ju drejtoni, si dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më lejoni të sjell në vëmendjen Tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e këtyre përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën. Kjo, për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.

Mbi sa më lart, rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. Kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave.

Dërgimi i mesazheve me përmbajtje elektorale në celularët e qytetarëve nga partitë politike apo kandidatët është i paligjshëm. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi paralajmëron penalizime të subjekteve zgjedhore që e kanë bërë apo do të vijojnë ta bëjnë këtë gjë. “Dërgimi i SMS-ve konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale e çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik do të penalizohet sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale”, – thuhet në një deklaratë.

Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së levizshme. Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”. Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale. Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik. Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.