Aktualitet

KQZ miraton anëtarët e KZAZ-ve të PS, PL dhe PSD, Celibashi: Deri në datë 7 caktohet legjitimiteti për përfaqësuesin e PD

Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së KQZ-së, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpjegoi mungesën e një vendimmarrje lidhur me listat e paraqitura nga PD-ja për anëtarë të KZAZ-ve.

Sipas Celibashit, vendimmarrja e KQZ-së do të jetë strikte, e bazuar në Kodin Zgjedhor.

“Ajo çfarë ka determinuar më shumë është fakti që ne jemi në këtë situatë, vendimmarrja e KQZ-së do të jetë strikt, bazuar në Kodin Zgjedhor.

Mbetet e padiskutueshme që në momentin që do të vendosim për këtë, kjo vendimmarrje do të jetë në përputhje me parashikimet e ligjit. Do të jetë vendimmarrje shumë e thjeshtë. Nuk kam asnjë problem, droje apo sikleti për ta marrë këtë vendim. Është vendimi më i thjeshtë që mund të merret për regjistrimin e një subjekti zgjedhor.

KZAZ-të do të fillojnë të punojnë sepse është kuorumi prej 4 anëtarësh. Në momentin më të përshtatshëm do të emërojmë edhe anëtarët e KZAZ-së të propozuar nga Partia Demokratike.

Nëse nesër do të kemi një kërkesë për regjistrimin e PD-së, do ta shqyrtojmë dhe do të marrim vendimin. Në interes të të gjithëve për të pasur zgjedhje, do duhet të vendosim për disa çështje.”

Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi më 9 janar se si do të përcaktohen anëtarët e KZAZ-ve për vendoret e 14 majit.

Partia Socialiste do të propozojë dy anëtarë për çdo KZAZ si partia më e madhe e mazhorancës dhe Partia Demokratike dy anëtarë si partia më e madhe e opozitës.

Partia Socialdemokrate si partia e dytë e mazhorancës dhe Partia e Lirisë si partia e dytë e opozitës do të ketë nga 1 anëtar në çdo KZAZ.

Anëtari i shtatë do të vendoset mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Sekretari do të propozohet nga PS-ja aty ku PD-ja ka propozuar zëvendëskryetarin dhe e anasjellta.