Aktualitet

KQZ urdhëron heqjen e posterave të partive politike: Nuk zbatuan Kodin Zgjedhor!

Zgjedhjet vendore të 14 Majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, sot ka urdhëruar heqjen e posterave pa shënimin politik në të gjithë vendin, pasi nuk kanë plotësuar kërkesat e Kodit Zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, një nga pikat për diskutim ishte dhe projektvendimi “Për heqjen e materialeve propagandistike që nuk përmbajnë shënimin “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të ….” (vijon emri i subjektit zgjedhor).

Relatorja e këtij projektvendimi u shpreh se posterat në fjalë “nuk përmbajnë shënimin “prodhuar nën përgjegjësinë ligjore…” të subjektit që e afishon”.

Iu dhamë kohë ta vendosnin këtë shënim. Nga verifikimi ynë rezulton se jo të gjitha materialet e përmbajnë këtë shënim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ i ka kërkuar Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit, t’i heqë menjëherë ato, në të gjitha bashkitë e territorit të vendit.

Ne do urdhërojmë të hiqen materialet propagandistike të kujtdo subjekti zgjedhor që nuk përmbajnë shënimin “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të subjektit zgjedhor…” Deri në orën 24:00 të ditës së premte të kësaj jave do duhet të marrim informacion nga drejtuesit e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit mbi zbatimin e vendimit.