Aktualitet

Kredia për ekonominë ra për të pestin muaj radhazi në janar!

Kreditimi i ekonomisë e ka nisur me rënie edhe vitin 2023. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re e disbursuar nga sektori bankar për muajin janar kishte vlerën e 16.5 miliardë lekëve, në rënie me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ekspertët mendojnë se frenimi i kreditimit është rezultat i rritjes së normave të interesit në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Rritja e interesave pasqyroi transmetimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe në veçanti rritjen e shpejtë të yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë shqiptare.

Rritja e interesave ndikoi njëkohësisht kërkesën dhe ofertën për kredi. Pas shumë vitesh me norma interesi të ulëta, pranë niveleve minimale historike, rritja e shpejtë e tyre vitin e kaluar solli frenim në kërkesën për kredi, siç dëshmohet edhe nga vrojtimet e aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë. Rritja e normave të interesit, gërshetuar edhe me përkeqësimin e pritshëm të treguesve makroekonomikë, janë faktorë që e ndikojnë negativisht aftësinë paguese, ndaj edhe bankat kanë aplikuar shtrëngime të ndjeshme në standardet e huadhënies.

Shkalla e konsiderueshme e rënies për janarin u ndikua ndjeshëm nga segmenti i kompanive publike, që këtë muaj shfaqi volume ndjeshëm më të ulëta krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Kredia në këtë segment është e luhatshme dhe në periudha të veçanta ndikohet nga nevojat e huasë për importe të energjisë, siç ndodhi në muajt e fundit të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022.

Por, megjithë efektet kalimtare të këtij segmenti, janari ishte muaji i pestë radhazi që kreditimi i ekonomisë pësoi rënie. Edhe kredia për kompanitë private pësoi përsëri rënie, ndërkohë që kredia për individët iu rikthye një rritjeje të lehtë, sidomos në monedhën euro. Në monedhën vendase, kredia ka një tendencë të dukshme rënëse në të gjitha segmentet e tregut, duke dëshmuar se tregu është shfaqur mjaft i ndjeshëm ndaj rritjes së shpejtë të normave të interesit.

Rënia e volumeve të kredisë së re ka shkaktuar edhe tkurrje të portofolit të kredisë për ekonominë, për të tretin muaj radhazi. Rritja me bazë vjetore e portofolit të kredisë tashmë ka zbritur në nivele dyshifrore dhe në fund të janarit ishte në nivelin 7%.

Segmenti i individëve vazhdon të shfaqë ritme më të larta të rritjes, me 12.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ecuria e këtij portofoli paraqitet më e qëndrueshme, e mbështetur nga një cikël disavjeçar rritës i kredisë së re, por edhe nga një strukturë e dominuar nga financimet afatgjata, që kanë një ritëm më të ngadaltë të amortizimit në kohë.

Në segmentin e biznesit rritja e portofolit është ndjeshëm më e vogël, me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli i kredisë për biznesin ndikohet më shpejt nga luhatjet në flukset e reja të financimit, edhe për shkak të një peshe më të madhe të kredisë afatshkurtër.