Aktualitet

Kredia po rritet më ngadalë se ekonomia!

Hendeku negativ mes rritjes së kreditimit dhe rritjes ekonomike u thellua përsëri në tremujorin e parë të vitit.

Hendeku mes rritjes së kreditimit dhe rritjes ekonomike u thellua më shumë në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt 2022, hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -8.43 pikë përqindje nga -7.96 pikë përqindje në tremujorin e mëparshëm.

Treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar, eventualisht duke shtuar rreziqet sistemike.

Banka e Shqipërisë kryen analiza periodike të këtij treguesi që si qëllim kryesor ka evidentimin e nevojës për të vendosur një shtesë kundërciklike kapitali për bankat tregtare.

Shtesa kundërciklike do të kishte si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se Banka Qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.

Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk po aplikon shtesë kundërciklike kapitali e kjo u konfirmua edhe në vendimin e fundit të guvernatorit, të datës 3 korrik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet e tremujorit të parë reflektojnë rënien e kredisë për ekonominë kundrejt normës pozitive të rritjes së produktit të brendshëm bruto.

Megjithatë, ecuria e treguesit ka qenë në kahe të ndryshme për segmentin “biznese” dhe atë “individë”. Gjatë tremujorit, thellimi i vlerës negative të treguesit parësor duket se është përcaktuar tërësisht nga ecuria e treguesit përkatës për segmentin “biznes”.

Vlera e treguesit parësor për “individët” luhatet më afër nivelit “zero”, duke sinjalizuar nevojën për një vëmendje të shtuar.

Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit, një nga shtesat e parashikuara në rregulloren e vitit 2019 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.

Deri tani, rritja e kreditimit ende është larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar.

Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje.

Për shembull, më 2002-2008, periudhë që përfshin fazën me rritjen më të lartë të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri, ky hendek kishte qenë pozitiv me 1.9 pikë përqindje. Për periudhën nga fillimi i vitit 2009 e deri në tremujorin IV 2022, hendeku kishte qenë negativ me -7.79 pikë përqindje.

Si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar te treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim e në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.

Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë.

Zhvillimet e periudhës pasqyrojnë një ngadalësim, si në terma vjetorë ashtu edhe tremujorë të ritmit rritës të portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme.

Ky ngadalësim vijon që prej tremujorit të parë të vitit 2022 dhe vlerat e nëntreguesit mbeten nën mesataren historike. Nga ana tjetër, indeksi i çmimit të banesave regjistron vlera më të larta në terma vjetorë, por ka ngadalësuar ritmin e rritjes në terma tremujorë.

E njëjta prirje vërehet edhe në ecurinë e raportit të këtij nëntreguesi kundrejt atij të qirasë. Pavarësisht këtij zhvillimi, vlera e këtij nëntreguesi vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike.

Ecuria e këtyre dy nëntreguesve, të cilët priren të përforcojnë ecurinë e njëri-tjetrit monitorohet në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë. Qëllimi është që duke përdorur edhe informacionet që lidhen me ngarkesën me borxh të familjeve, të identifikohen dhe parandalohen situatat në të cilat ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme është e paqëndrueshme./Monitor