Aktualitet

Kreditë me probleme, në rënie edhe në muajin mars!

Raporti i kredive me probleme ka vijuar rënien edhe në muajin mars. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti lehtë në rreth 5.24%, nga 5.39 që kishte qenë për muajin shkurt e njëherazi shënoi rënie për 14 muaj radhazi. Raporti i kredive me probleme është rreth 2.72 përqindje më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aktualisht, raporti i kredive me probleme është në nivelet më të ulëta që prej fundit të vitit 2008, kur nisi edhe cikli i gjatë i rritjes së tyre.

Treguesi i kredive me probleme po shënon ulje të qëndrueshme që prej vitit 2016, kur pati arritur pikun pranë nivelit të 25%. Pandemia koronavirus e ngadalësoi disi uljen kredive me probleme, por ndikimi i saj ishte afatshkurtër dhe ky raport iu kthye rënies vitin e kaluar. Rimëkëmbja e dukshme e ekonomisë krahasuar me vitin 2020, e dëshmuar nga ecuria më e mirë e treguesve të prodhimit dhe punësimit, ndikoi pozitivisht aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve.

Nga ana tjetër, vijueshmëria e ofertës së lartë për kredi nga sektori bankar solli edhe zgjerim të portofolit total, duke ndikuar pozitivisht edhe raportin e kredive të këqija. Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën rekord të 683 miliard lekëve ose 5.6 miliard euro, në rritje me 11.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, prej fundit të vitit të kaluar ekonomia po përballet me rritje të çmimeve të produkteve energjetike e atyre ushqimore, çka po reflektohet në nivele në rritje të inflacionit. Për muajin prill, INSTAT-i raportoi një normë vjetore inflacioni prej 6.2%, nga 5.7 muajin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të lartë në 20 vjet.

Rritja e shpejtë e inflacionit pritet të gërryejë fuqinë blerëse dhe të ndikojë negativisht aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse, por deri tani kjo situatë ende nuk po shfaq efekte të dukshme në raportin e kredive me probleme. Pasi cilësia e kredisë e kaloi me sukses provën e pandemisë, edhe falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ndodhet përballë një sfide më serioze.

Nëse pasojat e pandemisë u lanë pas për një kohë relativisht të shkurtër, ato të inflacionit mund të jenë më të thella e më afatgjata. Inflacioni i lartë nga njëra anë dhe rritja e normave të interesit nga ana tjetër mund ta bëjnë këtë cikël delikat, sidomos për ato subjekte që kanë një ngarkesë të lartë me borxh. Situata e re e krijuar pritet të reflektohet në një ngadalësim të kredidhënies krahasuar me vitet e mëparshme. Monitor.