Bota

Kremlini rikonfirmon kundërshtinë për anëtarësimin e Finlandës në NATO!

“Anëtarësimi i mundshëm i Finlandës në NATO do të përbënte një kërcënim për Rusinë”. Deklarata vjen nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, menjëherë pasi udhëheqësit finlandezë thanë se mbështesin bashkimin me aleancën ushtarake perëndimore. I pyetur nëse masa finlandeze mund të shihet si kërcënim nga Kremlini, Peskov u përgjigj “pa dyshim”, referuar agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Një zgjerim i ripërtërirë i NATO-s nuk do ta bëjë kontinentin tonë më të qëndrueshëm dhe të sigurtë. Rusia do të vlerësojë pasojat e anëtarësimit të Finlandës në NATO, në funksion të sigurisë së saj.

NATO po lëviz në drejtimin tonë. Gjithçka tani varet nga mënyra si zhvillohet procesi i mëtejshëm i zgjerimit të Aleancës dhe cila infrastrukturë ushtarake do të zhvendoset në kufijtë e Rusisë.

Reagimi i Kremlinit vjen pasi presidenti dhe kryeministrja finlandeze u shprehën sot në favor të anëtarësimit në NATO dhe pa vonesa, duke specifikuar se vendimi i vendit nordik do t’i njoftohet organizatës ditën e dielë, më 15 maj.

Presidenti Sauli Niinisto deklaroi:

Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, Finlanda do të forconte aleancën në tërësi.

“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, – theksuan Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin, në një deklaratë të përbashkët.

Ka pasur disa tregues që sinjalizonin se Finlanda, vend që ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë do të aplikonte për anëtarësim në NATO nën dritën e pushtimit rus të Ukrainës, që vijon prej 24 shkurtit.

Mbështetja e kreut të shtetit dhe shefes së qeverisë finlandeze, përkrahje kjo e shpallur në një deklaratë të përbashkët, e bën edhe më të mundshme që Finlanda të aplikojë për anëtarësim në aleancën ushtarake, pas dekadash qëndrimi zyrtarisht neutrale. Rusia e ka shprehur edhe më herët kundërshtinë për hyrjen në NATO të Finlandës e Suedisë, madje zyrtarë të Moskës rikthyen paralajmërimet për përdorimin e armëve bërthamore, nëse kjo ndodh.