Bota

Kreu i CIA-s takime sekrete në Ukrainë, udhëzime për t’i paraprirë lëvizjeve ruse!

Mediat amerikane po raportojnë se javën e fundit, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, (CIA) William Burns, udhëtoi në Ukrainë për të zhvilluar bisedime sekrete me presidentin Volodymyr Zelensky. Zyra e Zelensky-t dhe zyrtarë të qeverisë së Ukrainës, nuk i kanë komentuar publikisht raportimet lidhur me udhëtimin e Burns-it.

Të përditshmet amerikane The Washington Post dhe New York Times, shkruajnë se “udhëtimi u bë që Burns të informojë zyrtarët ukrainas për synimet e ushtrisë ruse në muajt e ardhshëm”. Publikisht, komandantët ushtarakë ukrainas paralajmëruan se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një ofensivë të re. Besohet se vetë Ukraina ka krijuar terren për kundërofensivën e saj.

Aktualisht, të dyja palët janë përfshirë në luftime të ashpra për të fituar kontrollin e qytezave ukrainase në lindje, përfshirë Bahmutin e Soledarin. I cituar nga mediat, një zyrtar amerikan i cili nuk pranoi të identifikohej deklaroi:

Drejtori Burns udhëtoi në Kiev ku takoi homologë ukrainas të Inteligjencës, si dhe presidentin Zelensky, për të rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Ukrainën, në mbrojtjen kundër agresionit rus.

Burns-it i janë dhënë merita të veçanta për ofrimin e informacioneve shumë të rëndësishme prej kohës së nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Shefi i CIA-s është ndër zyrtarët e shumtë amerikanë që kanë udhëtuar në Kiev.

Më herët gjatë kësaj jave, në kryeqytetin ukrainas ishin Wendy Sherman, zëvendëssekretare e Shtetit, Colin Kahl nënsekretar i Mbrojtjes dhe Jon Finer, zyrtar i lartë për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Po këtë javë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhny u takua me homologun amerikan, gjeneralin Mark Miller në Poloni, për të diskutuar më shumë hollësi rreth luftës. Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij vendi me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.