Rajoni

Kreu i Këshillit Europian Michel kërkon përshpejtim të integrimit europian të Ballkanit!

Në Serbi ku ishte për vizitë, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel deklaroi se “lufta ruse në Ukrainë ka tronditur kontinentin europian, i dha fund paqes në Europë dhe po ndodh në një kohë kur të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin”.

Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, Michel tha se “integrimi europian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet” ndërsa konfirmoi “zotimin e plotë të BE-së” në negociatat e anëtarësimit.

Po ashtu, zyrtari i lartë theksoi se “procesi i zgjerimit të Bllokut me Ballkanin Perëndimor duhet të jetë më efikas e dinamik”. Michel vuri në dukje se “zgjidhja mund të qëndrojë në integrimin gradual e progresiv, gjatë procesit të anëtarësimit”.

Shtetet kandidate duhet të ndiejnë “përfitimet” nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Në konferencën për shtyp, Charles Michel nuk e tha në mënyrë eksplicite se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe takimi me Vuçiçin u mbajt me dyer të mbyllura.

Në konferencën për media, pas takimit me numrin një të Këshillit Europian, Vuçiç deklaroi:

Në mënyrë shumë të fortë, presidenti Michel shprehu dëshirën dhe pritshmëritë që Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. E informova për qëndrimet tona!

Vazhdimisht, zyrtarët serbë kanë thënë se Serbia nuk mbështet vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë e në Beograd shprehen se në këtë mënyrë po mbrojnë interesat jetësore të shtetit serb. Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë, si masë për luftën në Ukrainë që vijon prej rreth tre muajsh.

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell ka bërë të ditur se “nuk mund të ketë të ardhme europiane për shtete që mbajnë kontakte me presidentin rus Putin”.