Bota

Kreu i Këshillit të BE-së: “Konferenca e Donatorëve për Ukrainë, Plan Marshall!”

Për presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Charles Michel, Konferenca e Donatorëve që zhvillon punimet sot në kryeqytetin polak, Varshavë, duhet të jetë pika e fillimit për një Plan Marshall europian për Ukrainën. Zyrtari i lartë i bëri komentet në një intervistë për Interfax Ukraine.

Kjo është pikërisht ajo çfarë duhet të bëjmë, duhet të dërgojmë një sinjal të fortë se ne do ta mbështesim Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur.

Gjendjen aktuale, Michel e krahason me të shekullit të kaluar, kur njerëzit largpamës vendosën të investojnë për rindërtimi i kontinentit europian pas Luftës së Dytë Botërore që solli pasoja katastrofike.

Tani, në këtë shekull, lufta në Ukrainë është një tragjedi njerëzore, që do të thotë se liderët largpamës duhet të ngrihen sot dhe të japin një sinjal se do të jemi të guximshëm dhe të vendosur për të mbështetur Ukrainën jo vetëm me fjalë. Ne kemi nevojë për vendime, ne kemi kemi nevojë për para’, kemi nevojë për një koordinim të fortë dhe për këtë na duhet vullnet politik!

Edhe Shqipëria i bashkohet sot Konferencës së Donatorëve për Ukrainën, në Varshavë. Pas video-mesazhit të presidentit Zelensky në Kuvendin e Shqipërisë, dy ditë më parë, kryeministri Rama i shprehu mbështetjen dhe miqësinë e vendit tonë. Rama e quajti “të përbashkët”, mbështetjen ndaj rezistencës ukrainase, kundër pushtuesve rusë.

Një ditë më parë, Brukseli zyrtar përmes shefes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen propozoi embargo të plotë mbi naftën ruse, deri në fund të vitit. Kjo si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të Unionit kundër Moskës, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, mbi dy muaj më parë, më 24 shkurt. Menjëherë, propozimi i bërë publik nga von der Leyen hasi në kundërshtinë e prerë të Hungarisë, vend anëtar i Bllokut, por që varet shumë nga importet ruse të energjisë.