Aktualitet

Kreu i KQZ-së Celibashi kërkon ndryshime në raportimin financiar të partive!

“Raportimi financiar i partive politike është thuajse formal, nevojiten ndryshime ligjore për një sërë çështjesh”. I këtij mendimi është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili foli sot në tryezën “Integriteti dhe besimi në zgjedhje në Shqipëri: Koha për një hap përpara në transparencën e financimit politik”.

Raportimi i partive politike është thuajse formal dhe monitorimi e verifikimi nga KQZ i këtyre raportimeve mbetet vetëm në kuadrin formal dhe sipërfaqësor të vetëm asaj çfarë vetë partitë raportojnë. KQZ thuajse nuk ka aspak autorizime ligjore për të shkuar më thellë në vërtetimin e përmbajtjes së raporteve që paraqiten nga partitë politike.

Në tërësi, ndryshimet e kuadrit rregullator ligjor në Shqipëri duhet të përfshijnë jo vetëm Kodin Zgjedhor, por më së pari ligjin për partitë politike. Partitë duhet të kenë detyrimin që në mënyrë periodike të bëjnë publike anëtarësinë e më pas gjithë të tjerat, çdo gjë që ka të bëjë me paratë që marrin e ku i shpenzojnë.

Në monitorimin e financimin për partitë në fushatat e tyre, duhet të përfshihen edhe shpenzimet në median e shkruar, rrjetet sociale e në përgjithësi në internet apo në mjete të tjera të komunikimit veç mediave klasike, radiove e televizionit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë i detyruar të bënte auditimin e një numri të madh të regjistruar në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Janë rreth 131 parti politike, për më shumë se 50% të tyre, nuk ka asnjë informacion në lidhje me adresat, kryetarin e partisë apo organin drejtues. Ligji për partitë politike duhet të ofrojë një zgjidhje për të tilla rrethana. Në vlerësimin tonë, ligji duhet të ndryshojë për të vendosur në këtë rast prioritete lidhur me kontrollin financiar të partive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit, domosdoshmërisht duhet t’i nënshtrohen kontrollit e verifikimit financiar.