Celebrities Ndryshe

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa: “Po, më kanë kërcënuar, në mënyrë të përsëritur madje…”

I ftuar ditën e sotme në “Ndryshe” ishte Aleksandër Çipa, i cili është kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Ai zbuloi detaje mjaft interesante, teksa përshkroi si është të jesh gazetar në Shqipëri, rreziqet me të cilët gazetarët përballen e shumë të tjera.

Çipa u shpreh lidhur me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë. Ai tregoi se është i fortë dhe i strukturuar, madje sipas tij, në Shqipëri nuk ka asnjë organizatë tjetër kaq të mirëorganizuar. Sigurisht, dhe ky Union ka sfida, probematika dhe shqetësime të shumta, siç shprehet Çipa.

Por ç’mendim ka ai për kolegët? A e kalojnë ndonjëherë ata kufirin e gazetarit? Ai shprehet se është e vërtetë që në komunitetin e gazetarëve kalohet caku ndonjëherë apo thyhen kodet. Megjithatë, ai tregon se kolegu nuk është personazh për kolegun, duke mos dashur kështu të komentojë asnjë nga kolegët.

Në vazhdim të intervistës, u diskutua edhe lidhur me Zgjedhjet Parlamentare të këtij viti. Çipa shprehet se çdo gazetari dhe qytetari do t’i pëlqejë rotacioni. Por si analist, ai e dinte shumë mirë që koha për ndryshim nuk kishte ardhur dhe Partia Socialiste do ta fitonte edhe këtë mandat. Një moment paksa prekës, ishte teksa Çipa u shpreh për të atin, të ndjerin poetin Lefter Çipa. Ai është duke ndërmarrë një projekt në nder të tij.

Unë kam projektuar për të bërë një shtëpi muze… Dorëshkrimet e babait po digjitalizohen… Do të gdhendet titulli i librit të babait “Jemi që pa ardhur deti”…

Por cilat janë vështirësitë e të qenit një gazetar në Shqipëri? Çipa e zbulon këtë në Top Albania Radio.

Padyshim më kanë kërcënuar dhe në mënyrë të përsëritur. Por kjo nuk reflekton me tërheqjen apo ikjen nga vetvetja… Kam kaluar momente të rënda me raportimin dhe punën time si gazetar në terren.