Aktualitet

Krimi përgjak Tiranën, atentat me një viktimë te Kodra e Diellit!

Atentat me një viktimë te “Kodra e Diellit” në Tiranë. Shtetasi Briken Senaj 39-vjeç, nga Lezha u qëllua për vdekje me kallashnikov nga një automjet tip “Benz” në lëvizje.

Ngjarja ndodhi ndërsa ecte në trotuar me tre të njohur, pasi mbylli makinën e tij në garazhin e godinës ku mësohet se ishte rezident prej më shumë se një viti.

Policia shoqëroi disa vetë që mund të kenë dijeni, ndërsa në Qafë Kashar, pranë një biznesi pllakash, u gjet i djegur një automjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Nga disa persona, Senaj i cili tentoi pa sukses t’i shpëtonte breshërisë së plumbave, u dërgua në spital, por jo në jetë. Lidhur me shkaqet e atentatit nisën hetimet e po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, e njëjta ku pak ditë më parë u plagos një i ri nga fqinji i tij, pas një debati për zhurmën e fëmijës 3-vjeç të autorit që u arratis dhe u shpall në kërkim policor.

Policia e Tiranës doli me një njoftim paraprak për krimin e mbrëmshëm:

Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Janë shoqëruar disa persona në Polici. Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.