Aktualitet

Krimi zgjedhor, goditet një rast në Pukë ku po hetohet drejtuesi politik i LSI-së, reagon edhe LSI

Rreth dy javë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, blutë e Pukës njoftojnë se arrestuan shtetasin Vasil Shabani, në rolin e sekserit, si dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për Demir Sylën, drejtues politik i LSI-së në qytetin verior. Dyshohet se ata hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.

Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i gjetën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë të ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti e sekuestroi edhe një tjetër fletë të ngjashme me të votimit, si dhe një fletë format A4 ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemër) me 27 persona e numrat e ID-ve.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.

Të hënën, Prokuroria e Pukës do të vlerësojë nëse procedimi penal do t’i kalojë SPAK-ut për hetim.

Ndërkaq, reagoi Dega e LSI-së në Qarkun Shkodër:

Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes. Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qendror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit. Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë. Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike. I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale”, thuhet në deklaratën e LSI të Qarkut Shkodër.