Bota

Kritika Europës për trajtimin çnjerëzor të emigrantëve!

Organi më i lartë për të drejtat e njeriut në Europë kritikon trajtimin çnjerëzor të emigrantëve në kufijtë europianë, veçanërisht në kufirin e jashtëm të BE-së. Emigrantët janë dhunuar me grushta, shuplaka, goditje me shkopinj e të tjera sende të forta nga policia ose rojet kufitare. Kështu thuhet në raportin vjetor të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës (CPT), të publikuar sot.

Në raport theksohet se të tjera taktika përfshinin shtyrjen në lumenj të emigrantëve, ndonjëherë me duart ende të lidhura. Po ashtu heqjen e rrobave e këpucëve, si dhe detyrimin që të ecin zbathur apo me të brendshme e në disa raste, edhe plotësisht të zhveshur përtej kufirit. CPT-ja tha se u përball me “një numër në rritje” të njerëzve që pretendonin se ishin larguar nga kufiri europian me forcë.

Shumë vende europiane përballen me sfida shumë komplekse emigracioni në kufijtë e tyre, por kjo nuk do të thotë se mund të shpërfillin detyrimet e tyre ndaj të drejtave të njeriut. Largimet me forcë janë të paligjshme, të papranueshme dhe duhet të marrin fund!

Ky komitet ka vizituar pikat e policisë, asaj të Kufirit e Rojës Bregdetare, qendrat e paraburgimit dhe zonat e tranzitit në rrugët kryesore të emigracionit për në Europë.

CPT-ja u bën thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Europës që të garantojnë të drejtat e emigrantëve duke regjistruar çdo individ. Po ashtu, t’u ofrohen vlerësime mjekësore e cënueshmërie dhe duke u ofruar mundësinë e aplikimit për azil.

Arrestimi duhet të përdoret vetëm si masë e fundit.

Këshilli i Europës përbëhet nga 46 shtete. Rusia u përjashtua pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, vitin e kaluar, por mbetet palë e Konventës Europiane për Parandalimin e Torturës.

Emigrantët mbeten çështje diskutimi në Bashkimin Europian që kur më shumë se një milion njerëz kanë mbërritur në Europë gjatë krizës së refugjatëve në vitet 2015-2016.