Bota

Kritika mbi një projektligj të ri për emigracionin në Britani!

Qeveria britanike prezanton nesër një projektligj të ri mbi emigracionin, që e konsideron krim futjen pa leje të azil-kërkuesve në Britaninë e Madhe. Në bazë të dispozitave të projektligjit të ri, kush kapet duke hyrë në mënyrë të paligjshme mund të dënohet deri me katër vjet burg, pavarësisht arsyeve.

Masa synon të dekurajojë ardhjen e emigrantëve përmes Kanalit të La Manshit me varka të vogla e gomone. Trafikantët do të përballen me ndëshkime më të rënda, nga 14 vjet burg në burgim të përjetshëm.

Ministrja e Brendshme, Priti Patel tha se “Ligji synon të ndreqë sistemin problematik britanik të aplikimeve për status azilanti”. Aktualisht, refugjatët që vijnë nga Franca me varka të vogla kapen nga Roja Bregdetare dhe mbahen në qendra paraburgimi ose hotele deri kur të merret në shqyrtim aplikimi i tyre për azil.

Plani ynë i ri për emigracionin është i drejtë por i prerë! Ne mirëpresim njerëz përmes rrugëve të ligjshme e të sigurta dhe duke parandaluar abuzimin e sistemit e goditur aktivitetin kriminal që mundëson futjen e paligjshme në vend.

Në bazë të rregulloreve të propozuara, emigrantët që nuk ndiqen penalisht por janë futur në mënyrë të paligjshme në Britani do të marrin vetëm status të përkohshëm qëndrimi e nuk pritet të përfitojnë nga ndihma shtetërore, përveçse në rastet kur janë plotësisht pa të ardhura. Vetëm azil-kërkuesit e ardhur përmes programeve qeveritare për refugjatët do të kenë mundësi të vendosen me banim në Britani.

Zyrtarët thonë se “Projektligji dërgon mesazh të qartë për emigrantët që po mendojnë të paguajnë trafikantë për të ndërmarrë udhëtimin e vështirë dhe të paligjshëm për në Britani”.

Por propozimi, i cili prezantohet nesër para ligjvënësve në Dhomën e Komuneve është përcjellë me kritika të ashpra nga aktivistë për të drejtat e njeriut dhe organizatat që punojnë me refugjatët.

Steve Valdez-Symods, Drejtor për Programin e Emigracionit pranë Organizatës “Amnesty International”:

Në vend që t’iu fryjë teorive dhe miteve të sajuara për azilantët e emigrantët, Ministria e Brendshme duhet të punojë për t’iu ofruar rrugë të sigurta atyre që largohen për t’i shpëtuar persekutimit në vendet respektive.

Afro 6 mijë refugjatë mbërritën në brigjet e Britanisë në 6 muajt e parë të vitit përmes rrugës së rrezikshme të La Manshit. Në 2020-ën, numri total ishte 8.417.