Aktualitet

Kritike situata e zjarreve në Sazan për shkak të erës!

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se “pavarësisht përpjekjeve për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit, situata është kritike për shkak të erës”. Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për lokalizimin e flakëve.

Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll.

Më herët, ministri Peleshi vuri në dukje se kjo verë do të jetë shumë e nxehtë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur bashkitë për përballimin e emergjencave.

Dje në një reagim për vatrat e zjarreve në Ishullin e Sazanit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi se sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencës, kjo do të jetë një verë e nxehtë, ndaj kreu i shtetit kërkoi angazhimin e strukturave vendore e qendrore për të ndërhyrë në kohë, sidomos edhe nga ajri për të vënë nën kontroll flakët.

Sa i përket parashikimit të motit për sot, sipas shërbimit MeteoAlb, orët e paradites do të vijojnë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë në të gjithë vendin, por duke iu afruar pasdites pritet grumbullim i vranësirave. Ato gjenerojnë shira konvektivë, në zonat malore veriore e verilindore.

Parashikohet që mbrëmja dhe nata të risjellin kthjellimet në territor. Ndërkohë, duke qenë se vazhdon i nxehti, temperaturat luhaten në vlerat ditore nga 15 deri në 35 gradë celcius në vendin tonë. Era fryn mesatarisht me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi verior, duke krijuar dallgëzim deri në 2 ballë, në brigjet detare.