Bota

Kriza e borxhit në Amerikë, palët arrijnë marrëveshje!

Rritja e tavanit të borxhit të SHBA-ve, demokratët dhe republikanët ranë dakord në parim. Më herët, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy tha se negociatorët republikanë ishin “më afër marrëveshjes” që zgjidh krizën e borxhit, por se ende nuk e kishin një të tillë me presidentin Joe Biden. Tashmë me kompromisin përfundimtar që rrit kufirin e huamarrjes së vendit, u shmang falimentimi katastrofik. Negociatorët kishin përafruar qëndrimet.

Palët patën sugjeruar se ndër pengesat kryesore ishte përpjekja e Partisë Republikane për të shtrënguar parakushtet ekzistuese për ata që marrin ndihma qeveritare. Këtë synim të vjetër republikan, demokratët e kundërshtuan fort. Shtëpia e Bardhë tha se propozimet republikane ishin “mizore e të pakuptimta”.

Amerikanët dhe bota ndoqën me ankth negociatat në Uashington që mund ta përfshinin ekonominë amerikane në kaos.

Nëse nuk sigurohej rritja e kufirit të huamarrjes që tani ka arritur në 31 trilion dollarë, për të paguar faturat e vendit, kjo do të shkaktonte valë tronditëse në Shtetet e Bashkuara dhe ekonominë globale.

Pensionistët në ankth e të tjerë, po bënin plane emergjente për pagesat nga frika se nuk do t’i merrnin. Pagesat e radhës të Sigurimeve Shoqërore priten të kryhen javën e ardhshme.

Marrëveshja për shkurtimin e buxhetit, gjithashtu zgjat kufirin e borxhit deri në vitin 2025, pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Propozimi republikan për shtrëngimin e kritereve për ata që marrin ndihma nga programe të ndryshme qeveritare do të kursente 11 miliardë dollarë gjatë 10 viteve. Presidenti Biden u duk më i hapur për të negociuar ndryshime të vogla për kuponat e ushqimit falas, pra Programin e Ndihmës Shtesë të Ushqyerjes ose SNAP, por pozicioni i tij është ngurtësuar.

Marrëveshja erdhi si kompromis politik në një Kongres të ndarë. Shumë nga republikanët e ekstremit të djathtë, përkrahës të ish-presidentit Donald Trump ishin skeptikë ndaj parashikimeve të Departamentit të Thesarit dhe i bën presion McCarthy-t të mos bënte lëshime.

Senati që kontrollohet nga demokratët nuk u përfshi në negociata, duke ia lënë bisedimet presidentit Biden dhe McCarthy-t.

Javët e bisedimeve gati dështuan të prodhonin një marrëveshje, pjesërisht për shkak se administrata Biden rezistoi për muaj të tërë të negocionte me udhëheqësin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, duke argumentuar se borxhet e vendit nuk duhet të përdoren si mjet për të tjera prioritete partiake.