Sociale

Kriza e çmimeve prek edhe turizmin; shtrenjtohen me 50% paketat turistike

Turizmi është një nga sektorët që do të shtrenjtojë me të paktën 50% shërbimet që do ofroj për turistët e huaj apo ata vendas.

Kreu i Unionit Turistik Rrahman Kasa thekson se kjo është e ndikuar nga kriza e rritjes së çmimeve.

Kjo pritet të ndikoj në uljen e numrit të pushuesve këtë vit.

Shqiptarët do të udhëtojnë më shumë jashtë vendit për pushime gjatë këtij viti.

Kasa thekson se edhe paketat turistike në vendet e tjera kanë pësuar një shtrenjtim të konsiderueshëm.

Të vetmit që do të shpëtojnë nga shtrenjtimi i çmimeve janë ata që i kanë parapaguar pushimet që vitin e kaluar pasi në këtë rast operatorët turistikë e kanë të pamundur që të kërkojnë rishikim të kontratës.

Lajmi vjen teksa vendi pati përgjysmim të turistëve edhe vitin e lënë pas për shkak të pandemisë. Kështu sezoni veror 2021 në Shqipëri, kaloi pritshmëritë e vendosura për pandeminë, por nuk u kthye në normalitet, u përshtat me të.

Për vetëm qershor-korrik-gusht, në 2019-n, në vendin tonë hynë 4.772.328 turistë të huaj, ndërkohë për të njëjtën periudhë të vitit 2021 erdhën 3.302.434 turistë të huaj, rreth 30% më pak.

Në shifra duket sikur të huajt nuk e ndanë Shqipërinë nga harta e pushimeve të tyre edhe me kufizime Covid-i. Por Kryetari i Shoqatës së Tur-Operatorëve shqiptarë, Besnik Vathi, tregon se në fakt shumica e këtyre “të huajve” janë shqiptarë me shtetësi të huaj, që u kthyen në Shqipëri pas një kohe me pamundësi lëvizjeje. Shqiptarët “e huaj” e mbajtën në këmbë turizmin kur turizmi pati nevojë për to.

Vathi tregon se bashkë me shqiptarët që u kthyen Shqipëria, për herë të parë u vizitua masivisht nga qytetarë të Lindjes së Mesme, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që i’u mundësua lëvizja pa viza drejt vendit tonë.

Një tjetër ndërlidhje që kontribuoi në numrin e lartë të turistëve në Shqipëri ishin masat anti-Covid të vendosura nga vendet e BE-së, por jo nga ne.

“Shqipëria u vizitua këtë sezon veror nga shumë qytetarë indianë dhe arabë që e përdorën Shqipërinë si transit për të evituar karantinën 10 ditorë që kërkonin vendet europiane.” Kështu, 10 ditëshin zgjidhnin ta kalonin në Shqipëri, pa masa dhe pushime në Mesdhe.

“Sezonit veror i munguan turistët anglezë, amerikanë e skandinavë që kanë gjithmonë target Shqipërinë. Kjo për shkak të pamundësisë së lëvizjes nga kufizimet e vendosura nga vendet e tyre,”- tregon Vathi.

Ai shpjegon se ndonëse erdhi një masë e turistëve të tjerë nga lindja , nuk zëvendësojnë dot turistët e përhershëm të Shqipërisë pasi struktura e konsumit është ndryshe dhe qarkullimi I tyre është më i gjerë. .

Një pengesë tjetër ishte dhe hapja e vonshme e kufijve të Greqisë e cila drejtpërdrejtë privoi qytetet e jugut nga vizitorët. Udhëtimet për në Korfuz apo Greqi, nga të huajt, nisnin nga Saranda, ata mund të kaloi net dhe ditë aty para se të shkonin për në Korfuz, Saranda nuk ka pasur vizitorë të huaj deri nga mesi i verës.

Sezoni turistik i verës në Shqipëri, gjithmonë ndryshon strukturën dhe sjelljen tradicionale të konsumatorëve dhe vetë tregjeve ekonomike, nisur nga tregu imobiliar, shërbimet argëtuese, aktivitetet ushqimore e deri tek kursi i këmbimit.