Rajoni

Kriza e emigrantëve, Greqia nis zgjerimin e gardhit kufitar me Turqinë!

Greqia pothuajse do të dyfishojë gjatësinë e gardhit të çelikut prej 5 metrash të lartë, përgjatë kufirit lumor me Turqinë. Aktualisht 37.5 kilometra i gjatë, ky gardh do të zgjerohet me 35 kilometra përgjatë lumit, i cili për grekët njihet si “Evros” dhe për turqit si “Meriç”. Sidomos në verë kur bie rënia e nivelit të ujërave të lumit, krijohen shumë korridore në një terren të favorshëm për emigrantët. Emigrantët lundrojnë me varka të vogla.

Ministri grek i Mbrojtjes Civile, Takis Theodorikakos njoftoi:

Gardhi i ri do të kushtojë rreth 100 milion euro e do të financohet nga buxheti grek.

Referuar shifrave të Athinës zyrtare, çdo ditë, rreth 400 persona përpiqen të hyjnë ilegalisht në Greqi dhe në të tjera vende të Bashkimit Europian nga territori i Turqisë.

Vitin e kaluar, rojet kufitare greke ndaluan më shumë se 260 mijë emigrantë që përpiqeshin të kalonin kufirin. Përveç kësaj, autoritetet greke thonë se rreth 1 mijë e 500 të dyshuar si trafikantë të qenieve njerëzore u arrestuan vitin e kaluar.

Siç ka deklaruar ministri grek i Emigracionit, “Turqia i përdor emigrantët nga Siria apo vendet e tjera si mjet presioni ndaj Greqisë dhe shteteve të tjera të Bashkimit Europian”.

Athina u vu në lëvizje pas incidenteve të vitit 2020 kur kujtojmë se vendi fqinj përballoi një grumbullim të madh, me më tepër se 10 mijë emigrantë në pikën kufitare të Kipos-it. Atë që ndodhi në atë kohë, Greqia e quajti “një provokim të hapur”, i koordinuar me tensionet në zonat detare të Egjeut e Mesdheut Lindor e që për fare pak mund të shkaktonin edhe përplasje ushtarake.

Prej atëherë, fluksi i emigrantëve shënoi rënie sidomos në kufijtë detarë, por nga muajt e verës së kaluar u shtua ndjeshëm në brigjet e lumit Evros që ndan dy vendet. Në mënyrë të vazhdueshme, Greqia dhe Turqia akuzojnë njëra-tjetrën në lidhje me situatën e krijuar.