Bota

Kriza e koronavirusit, shtyhen disa vendime të BE-së

Vendimet për mbrojtjen e klimës, marrëdhënien me Turqinë dhe strategjinë e re për Afrikën, BE i ka shtyrë për në dhjetor. Ndërsa negociatat e BE me Mbretërinë e Bashkuar për një marrëveshje tregtie dhe partneriteti pas Brexitit nuk kanë sjellë asgjë të re, veç deklaratave, se megjithë ultimatumet britanike, do të vazhdohet të bisedohet ende. BE ka kohë që i shtyn shumë vendime, pasi kriza e koronavirusit sundon gjithçka në Europë.

BE gjithashtu kërkon të arrijë ujdi me Afrikën për një menaxhim më të mirë të migracionit. Shumë migrantë afrikanë kërkojnë të vijnë në BE. Objektivi i BE për vitin 2030 për mbrojtjen e klimës, u shty në samitin e ardhshëm. Në dhjetor vendet anëtare të BE do të vendosin, nëse emetimi i gazrave karbonikë në 10 vjetët e ardhshëm do të ulet me 50, 55 apo 60%. Gjermania mbështet objektivin e kursimit me 55%. Parlamenti Europian kërkon 60%. Organizatat ambientaliste madje më shumë se 60%. Netë të gjata negociatash pra janë të paraprogramuara.