Bota

Kriza energjetike, Franca rivendos në punë një termocentral me qymyr!

Për shkak të krizës energjetike dhe dështimit të shumë termocentraleve bërthamore, sot Franca rivendosi në punë një termocentral me qymyr, në verilindje të Saint-Avoldit. Termocentrali “Emile-Huchet” u hoq nga rrjeti në fund të marsit të këtij viti. Por tani, ai do të prodhojë sërish energji, sipas vendimit të Ministrisë franceze të Energjisë. Fillimisht, funksionimi i termocentralit kufizohet deri në fund të vitit 2023. Rreth 70 punonjës që u pushuan, pranuan të rikthehen në vendet e tyre të punës, ndonëse me rritje pagash.

Përveç “Emile-Huchet”, termocentrali “Cordemais” në Francën perëndimore është i vetmi central tjetër me qymyr, ende aktiv në vend. Përpara mbylljes së tij, “Emile-Huchet” kishte djegur qymyr të importuar nga Rusia për të mbuluar nevojat për energji elektrike. Tashmë, qymyri do të sillet kryesisht nga Kolumbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Afrika e Jugut.

Franca është në rrezik të mbetet pa energji elektrike këtë dimër, sepse gjysma e 56 termocentraleve të saj bërthamorë janë jashtë rrjetit për arsye që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe inspektimet. Qeveria franceze i ka bërë presion kompanisë së energjisë elektrike, EDF, që të gjithë reaktorët të funksionojnë deri në dimër, por mbetet të shihet nëse kjo do të jetë e mundur. Ambientalistët francezë kanë protestuar disa herë kundër rifillimit të punës në termocentral.

Me Rusinë që i ka reduktuar Europës furnizimet me gaz dhe me dimrin që po afron e sjell temperatura të ulëta, politikëbërësit europianë po përgatiten për disa muaj edhe më të vështirë. Rritjet e çmimeve mund të përshpejtohen akoma më tej në disa vende, ndërkohë që recesionet po bëhen gjithnjë e më të mundshme. Ndërkohë, kompanitë që ofrojnë energji në BE dhe po përfitojnë në mënyrë disproporcionale nga rritja e çmimeve të energjisë do të përballen me taksa shtesë pas një marrëveshjeje të arritur nga ministrat e BE-së.