Aktualitet Rajoni

Kriza energjetike, vendet e Ballkanit të Hapur zotohen të jenë pranë njëri-tjetrit!

Në konferencën për shtyp nga Beogradi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç vunë në dukje se po afrohet dimër i vështirë e referuar krizës energjetike, bënë të ditur se vendet e Ballkanit të Hapur do të jenë pranë njëri-tjetrit që qytetarët ta vuajnë sa më pak. Kryeministri shqiptar dhe presidenti serb i bënë thirrje Bashkimit Europian të mos i braktisë si në kohën e pandemisë COVID-19. Rama tha se do i drejtohen me shkrim Brukselit për t’i dhënë mbështetje financiare, që të përballojnë krizën energjetike. Ndër të tjera shtoi se do të këmbëngulin që kërkesës së tyre t’i bashkohen edhe shtetet që nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur.

Në kuadër të memorandumit të firmosur me Serbinë do të krijohet mundësia e shkëmbimit të energjisë dhe qymyrit. Kryeministri Rama:

Firmosëm memorandumin me Serbinë për bashkëpunim në sektorin minerar dhe energjetik duke pasur parasysh se jemi 100% energji e gjelbër, bazohemi në kapacitetet tona hidrike, Serbia në termo dhe ka nevojë për qymyr. Kur krijohet mundësia e shkëmbimit, mund të jetë zgjidhje e mirë për palët.

Sa i përket gazit, Shqipëria sot ka mundësi historike për një transformim në portin e Vlorës ku kemi hyrë në fazën e finalizimit të një projekti për ta transformuar hyrjen në atë port në një teminal të gazit të lëngshëm dhe për të krijuar mundësinë që në TEC-in e Vlorës të mund të prodhohet energji elektrike me transformimin përmes hyrjes së terminalit dhe në këtë mënyrë jemi në bisedime dhe RMV për t’i bërë pjesë të këtij projekti.

Ka një keqkuptim sipas të cilit meqë ne bazohemi në hidro, e kemi të siguruar energjinë dhe mjafton që të mos e shesim. Eshtë keqkuptim shumë i madh sepse nuk e prodhojmë dot. Edhe në ditët më të mira tonat nuk e prodhojmë dot të gjithë energjinë që konsumojmë. Së dyti, ne nuk kemi mundësi që të depozitojmë ujin e tepërt kur kemi shumë reshje dhe kur nuk ka reshje, varemi nga importi.

Duke ndërtuar hidrocentralin e ri që do të jetë depozituesi i reshjeve të mbledhura, duke ndërtuar parqet voltaike, duke integruar edhe gazin e lëngshëm në gjithë këtë strukturë do të jemi në kushte më të mira. Ajo që sot është e qartë është se jemi në kushte të vështira dhe kemi nevojë për durim, mbështetje e bashkëpunim.