Aktualitet

Kriza në PD e përjashtimi i Berishës, ja çfarë tregojnë sondazhet e TAR!

Në Partinë Demokratike sa vjen e thellohet kriza që prej muajsh e ka ndarë në dy gjysma subjektin më të madh opozitar në vend. Konflikti i brendshëm ka për protagonistë Berishën e Bashën, me këtë të fundit që më 9 shtator përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat liderin historik, i shpallur “non grata” nga amerikanët për korrupsion. Kuvende Kombëtare me shkarkime e përjashtime reciproke në muajin e fundit të vitit që lamë pas, për të arritur në përshkallëzim të konfliktit, vetëm tre ditë më parë. Më 8 janar, përleshje mes mbështetësve për Selinë Blu dhe më pas, aktet e dhunshme të shuara me ndërhyrjen policore, për t’ia lënë vendin prokurorisë e gjykatës.

Për shifrat e të plagosurve, arrestimet e dëmet e shumta materiale në godinën e kthyer në “mollë sherri”, sërish gishtat e akuzës, kundërshtarët ia drejtuan njëri-tjetrit. Me pak fjalë, kjo mbetet kriza që kulmoi të shtunën e kaluar, me gjithçka që u dëshmua me zë e figurë në protestën e thirrur nga Berisha kundër Bashës. Të njëjtët që janë përfshirë në misionin, gjithashtu reciprok për ta bërë rivalin, aleat të Qeverisë Rama. E ndërsa mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në kampin demokrat, besueshmëria te Partia Demokratike për shkak të krizës duket në nivelin më të ulët të mundshëm. Në një sondazh në web-in e Top Albania Radio-s, me pyetjen mbi ndikimin e krizës në partinë më të madhe opozitare në vend, pjesa dërrmuese nuk ka dyshime te goditja që i ka dhënë besueshmërisë së PD-së.

 

Rezultat i njëjtë ndonëse shifra të ndryshme për të anketuarit që përgjigjen e tyre zgjodhën ta japin në sondazhin me të njëjtën pyetje, por kësaj here në kanalin në YouTube të Top Albania Radio-s.

 

Por, protesta e 8 janarit 2022 nuk ishte i vetmi moment kulmor i asaj që po ndodh në PD. Në një mbledhje që përfundoi në orët e para të mëngjesit, Kryesia vendosi që Sali Berisha, me 7 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, të mos jenë më anëtarë të forcës më të madhe opozitare. Ata janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Arben Ristani, Albana Vokshi, Keltis Kruja, Edmond Spaho e Klevis Balliu. Po ashtu u pezulluan 19 anëtarë. Edhe në këtë rast, për një zhvillim kaq të fortë, TAR hapi një sondazh në kanalin në YouTube duke i dhënë mundësinë qytetarëve të shprehin mendimin nëse vendimin e konsiderojnë të drejtë apo të gabuar?