Rajoni

Kroacia përkujton masakrën e Vukovarit!

Kroacia përkujtoi sot 30-vjetorin e masakrës së Vukovarit, qytet në Danub, në kufirin me Serbinë, simbol i luftës për pavarësi kombëtare, i rrafshuar nga milicia serbe, pas dy muajsh rrethimi. Rreth 30 mijë persona, përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit, ishin sot në Vukovar. Kryeministri Andrej Plenkoviç deklaroi:

Sot kujtojmë heronjtë, të cilët i sollën popullit kroat lirinë dhe demokracinë. Kroacia është ende në kërkim të 1 mijë e 800 të zhdukurve gjatë luftës për pavarësi. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë për fatin e këtyre njerëzve. Kjo çështje është një detyrim që Serbia duhet të zgjidhë, për rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në kohën e rënies të qytetit në duart e ushtrisë serbe, 15 mijë civilë, përfshirë 2 mijë fëmijë dhe rreth 500 të plagosur, u fshehën mes rrënojave të shtëpive të shkatërruara. Episodi më tragjik ka të bëjë me masakrën në spitalin e Vukovarit, ku ndodheshin 264 civilë kroatë, të cilët u vranë nga forcat serbe pasi ishin torturuar. Në total ishin 2 mijë e 717 persona, ushtarakë dhe civilë, të cilët humbën jetën në anën kroate në betejën për Vukovarin, e cila zgjati nga gushti deri më 18 nëntor 1991.