Bota

Krokodili afrikan tërheq në ujë 18 vjeçare, shpëton kur shoku e lufton me grushte

Një adoleshente britanike është kafshuar nga krokodili teksa udhëtonte me miqtë e saj për pushime në jugun e Afrikës.

Amelie Osborn-Smith, nga Hampshire në Britaninë jugore, po shijonte një ditë lundrimi me kanoe në lumin Zambezi në Zambia, kur u sulmua nga krokodili 4 metra i gjatë i cili pasi e kapi me dhëmbë nga këmba, nisi t’i bënte rrotullimin e vdekjes në ujë.

Babai i 18-vjeçares tregonte më pas se vajza e tij po qëndronte me kanoe duke mbajtur njërën këmbë të varur në ujë, kur bisha i erdhi pa u ndjerë dhe e tërhoqi brenda.

Ish-ushtaraku i lartë Brent Osborn-Smith, tregonte për të bijën: “Krokodili pa këmbën e saj të varur në ujë dhe mendoi se e gjeti ushqimin”.

Amelie, e cila udhëtonte me miqtë e saj pasi mbaroi shkollën e mesme private St Swithun’s ku një vit kushton £22,000, u shpëtua nga një shok i saj i guximshëm që hyri në ujë e nisi të luftonte me grushte me kafshën.

Vajza ishte dërguar më pas në spital me helikopter në kryeqytetin Lusaka ku kreu operacionet që i shpëtuan jetën dhe tentonin të riparonin këmbën e copëtuar.

Babai Osborn-Smith tregon: “Ajo është një vajzë e kujdesshme, por në këtë rast ata drejtoheshin nga guidat e lundrimit dhe ndiqnin këshillat e tyre.”

“Ajo nuk po notonte por vetëm rrinte ulur në barkë. Është ende në gjendje serioze në Zambia dhe doktorët po përpiqen të shpëtojnë këmbën e saj. Kafshimi i krokodilit mund të sjellë infeksione dhe situata është delikate”.

Një shoqe e Amelie tha: “Menjëherë sa ndodhi një miku ynë u lëshua në ujë dhe nisi të godiste krokodilin me grushte me tërbim, u tregua shumë i guximshëm”.

“Pastaj edhe të tjerë hynë në ujë për të ndihmuar, kishte kaos dhe gjak, njerëzit lëvrinin kudo. Ajo është me fat që shpëtoi gjallë”.

“Më në fund krokodili hoqi dorë dhe ata e ngritën vajzën në barkë e më pas në breg. Ishte katandisur keq. Ata i lidhën plagët si mundën dhe më pas sinjalizuam për evakuimin mjekësor”.

Amelie, nëna e të cilës është baronesha gjermane 52 vjeçare Veronika Osborn-Smith po zbavitej me ‘rafting’ e organizuar nga Bundu Rafting në Livingstone, Zambia.

Kompania thotë në prezantimin e saj se “siguria është gjithmonë e para” në aventurat e saj të mbushura me adrenalinë. Grupi operon në ujërat pranë ujëvares Victoria që prej viteve 1996.

Rrymat e shpejta të Victoria Falls konsiderohen si eksperienca më e mirë për lundrimin ‘rafting’ me sfida të zhurmshme e të pjerrëta, që ndërpriten nga pelllgje me ujë të qetë.