Celebrities Music Pardon My French Showbiz

Krusita zbulon në TAR gjithçka për rikthimin e saj në muzikë dhe këngën e re “Pishman”!

E ftuar në Top Albania Radio në emisionin “Pardon My French” ka qenë artistja Krusita. Ajo ka zbuluar më shumë për rikthimin e saj dhe për projektet e ndryshme që ajo ka dëshirë t’i realizojë në fushën e muzikës.

Mund të quhet rikthim. Nuk ka lidhje me dashurinë, ka pasur lidhje me shkollën time sepse përveç muzikës që është një pasion i imi shumë i madh, mbi çdo pasion tjetër që mund të kem, unë kam edhe shkollën që më duhej ta përfundoja me rezultate të mira. Kjo ka qenë një ndër arsyet që unë nuk jam përqëndruar 100% vetëm te muzika. 

Si erdhi kënga ‘Pishman’ dhe a është bërë pishman Krusita kohët e fundit për ndonjë gjë?

Nuk e di, nuk mund të them që jam bërë pishman, çdo gjë bëhet kur ti e ndjen dhe me dëshirën tënde të plotë, pavarësisht se kemi gabime rrugës. Kënga “Pishman” erdhi si një bashkëpunim me Arbër Zekën. Një ditë në studio tek Berato, i cili është producenti i këngës dhe sapo hymë po luhej kënga që Berato e kishte përgatitur dhe po e dëgjonte. Ishte dashuri me dëgjim të parë, e dëgjova dhe këtë i thashë që e dua unë.

Artistja më pas ka shpjeguar edhe arsyen se pse pas daljes së saj me djemtë e “Threedots” në emisionin Top Channel ‘Shiko Kush Luan’ nuk arriti që të merrte atë vrull të duhur.

Flori dhe të gjithë të tjerët që unë kam punuar aty kanë qenë një mbështetje shumë e madhe për mua, të gjithë artistët në përgjithësi kur unë dola në ‘Këngë Magjike’. Kështu mendoja dhe unë që do bëhesha një yll sepse ishte shumë bukur në fillim, por jo gjithmonë ndodh ashtu. Ndoshta për faj të askujt, thjesht i lamë pak gjërat pas dore. Unë jam munduar me atë timen. Nëse nuk ka kimi të mirë nuk mund të thuash ‘Dua një këngë me ty unë dhe pikë’. Kimi dhe energji të mirë ka pasur gjithmonë, çunat janë të mrekullueshëm dhe shumë pozitiv por thjesht është lënë pa dore.

Ajo ka vijuar duke thënë se:

Ishin këto prioritetet e tjera që duhet të kisha në jetë. Ka pasur edhe arsye të tjera që nuk i bëj dot publike. 

A do të rikthehej sërish Krusita dhe të punonte me “Threedots”-at?

Unë mendoj që është shumë mirë që ata janë tani vetëm dhe ndoshta i duhet një gocë por pse jo edhe do ta provoja. Megjithëse unë po provoj të punoj vetë, e pavarur. Sepse mendoj që djemtë janë shumë të talentuar dhe kanë shumë ide. Mendoj gjithashtu që ide të mira mund të marrësh gjithandej, kështu që unë kam zgjedhur për momentin të bëj këtë gjë vetë. 

Do të pranonte Krusita që të bashkohej me “Threedots”-at për sezonin e verës, konkretisht me dasmat?

Kjo është një nga gjërat që më ka stepur sepse i dëgjoj shpesh herë njerëzit që thonë ‘Këngëtare dasmash është’. Unë nuk kam dashur që të kategorizohem aty, ndoshta edhe ndodh por për momentin nuk kam dashur që ta bëj këtë gjë dhe prandaj nuk kam punuar me djemtë.  

Krusita gjithashtu ka zbuluar se është në diskutim për një bashkëpunim me një artist nga Kosova por që u tregua shumë e rezervuar për të treguar detaje të tjera. Gjithësesi na mbetet të presim.