Rajoni

Kryediplomatët e 5 vendeve të BE-së kërkojnë debat urgjent për Ballkanin Perëndimor!

Debat urgjent për Ballkanin! Kjo është kërkesa që ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë i kanë drejtuar shefit të diplomacisë së Unionit, duke veçuar rëndësinë e rajonit.

Në një letër dërguar kryediplomatit të Unionit, Josep Borrell, theksohet:

Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e BE-së, duhet që gjatë prillit, Këshilli i Çështjeve të Jashtme të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa vetëm disa javë kanë kaluar nga diskutimi ynë i fundit për Ballkanin Perëndimor, situata gjeopolitike ka përjetuar një ndryshim të madh për shkak të agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh pozitën kyçe strategjike si rajon i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së.

Shefat e diplomacive të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë e vlerësuan vizitën që Borrell zhvilloi në mars në Shkup, Tiranë e Sarajevë, çka sipas tyre, “dëshmoi përkushtimin e fuqishëm të bllokut europian për Ballkanin Perëndimor”.

BE-ja duhet të bëjë gjithçka që të parandalojë efektet dëmtuese të sulmit ndaj Ukrainës në Ballkanin Perëndimor. Për këtë është edhe më urgjente se kurrë më parë që t’i japim një shtytje procesit të integrimit të rajonit në BE!

Konkretisht, ministrat kërkojnë të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjës e përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

Duhet të kemi një pikëpamje të re ndaj çështjeve si nisja e shpejtë e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjetjen e rrugës për përshpejtimin e negociatave, që janë në vazhdim e sipër të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë, të përparojmë me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të mbështesim konsolidimin e unitetit të Bosnjës, që të marrë statusin kandidat! Të rritet bashkëpunimi praktik me shtetet e Ballkanit si dhe këtyre vendeve t’u jepet ndihmë, me qëllim që të përballen me pasojat ekonomike nga agresioni rus, në veçanti në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe prodhimeve të tjera.

Takimi i radhës i ministrave të Jashtëm të BE-së do të zhvillohet më 11 prill në Luksemburg. Ende nuk është e qartë nëse tema e Ballkanit Perëndimor do të vendoset në rend dite, kur fokusi është lufta në Ukrainë.