Aktualitet Rajoni

Kryediplomati i BE-së Borrell e quan Ballkanin, politikën e jashtme më të rëndësishme të Unionit!

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell u takua me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, të cilët i mblodhi në një darkë informale, një traditë e nisur nga paraardhësja, Federica Mogherini. Në takim u diskutuan ndikimet rajonale dhe globale të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës prej 24 shkurtit. Ndërsa iu referua Ballkanit Perëndimor si “pjesa më e rëndësishme e politikës së jashtme”, kryediplomati europian u shpreh:

Rusia dëshiron të shfrytëzojë dobësitë tona e të rajonit. Ne duhet të punojmë së bashku për të mos lejuar Moskën t’i përdorë.

Borrell deklaroi se “BE-ja e sheh Ballkanin Perëndimor jo si oborrin e saj, por si pjesë të gjeografisë”.

Ne duhet të veprojmë së bashku kundër veprimeve shkatërruese të Rusisë në rajon, qofshin këto dezinformata apo sulme kibernetike. Jam i kënaqur që shumica e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor qëndrojnë në anën e njëjtë me BE-në, që nga dita e parë e reagimit ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Bota është në një situatë krejtësisht të ndryshme që nga shtatori i kaluar, kur u zhvillua takimi i fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në shtator, askush nuk priste që të ishim me një agresor, duke rikthyer luftën në Europë, për të parë këtë ndikim shkatërrues të gjakderdhjes së pakuptimtë. Europianët nuk e mbajnë mend luftën dhe tani e shohim në kufijtë tanë.

Lufta e fundit në Europë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë, një luftë e paligjshme kundër popullit ukrainas e rendit ndërkombëtar, të bazuar në rregulla.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë vendosur sanksione ndaj Moskës.

Ndërkohë, çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor do të diskutohen në detaje gjatë takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të Unionit, të hënën e ardhshme, më 16 maj. Borrell konfirmoi se aty do të ftohen edhe shefa të diplomacive të vendeve të rajonit.

Në darkën jozyrtare të organizuar nga Borrell morën pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gervalla-Schwarz, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe anëtari serb i Këshillit Presidencial të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik.