Rajoni

Kryediplomati turk Cavusoglu në Prishtinë, fajëson gylenistët si pengesë për raportet mes dy vendeve!

Gjatë një vizite në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu tha se “ekzistenca e FETO-s në Kosovë është pengesa më e madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke “i helmuar” ato”.

Strategjinë e zbatuar në Turqi, po e aplikon edhe në Kosovë. Po tenton “t’i helmojë” të rinjtë e të investojë në media, si dhe përpiqet të depërtojë në institucione. Për ne, është shqetësuese të shohim këtë dhe e dimë që janë të rrezikshëm për të ardhmen.

Ankaraja zyrtare i referohet lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen, me akronimin FETO dhe që e ka shpallur organizatë terroriste. Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi e dëboi gjashtë shtetas turq, që punonin në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë. Pasi u përballën me procese gjyqësore në Turqi, në fund u dënuan me mbi 56 vjet burg, në total. Arrestimi e dëbimi i tyre po hetohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pas dyshimeve se procesi u shënua nga shkelje të shumta.

Në Prishtinë, Cavusoglu u prit nga homologia Donika Gërvalla, e cila theksoi qëndrimin e Kosovës:

Ashtu si Serbinë, edhe Rusinë e shohim si agresive e destabilizuese për të gjithë rajonin. Shpresojmë që përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Europian, NATO-s e Turqisë do të kontribuojnë që Serbia e separatistët serbë në Bosnje, të mos arrijnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore, me ndihmën ruse e nën hijen e agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë, ministri turk i cili turin rajonal në pesë vende të Ballkanit Perëndimor e nisi me Beogradin, nuk la pa përmendur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Ne e mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe besojmë që duhet të arrihet një marrëveshje përmes kanaleve diplomatike.

Mevlut Cavusoglu mbërriti një ditë më parë në Kosovë ku darkoi me ministra, me të cilët bisedoi për bashkëpunimin Turqi-Kosovë dhe projektet e përbashkëta. Në axhendë ka edhe takimet me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.