Aktualitet

Kryediplomatja Xhaçka takim me Sarrazin/Kërkon veprime konkrete nga BE-ja!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në takim  të dërguarin e posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Në një deklaratë pas takimit, Xhaçka u shpreh:

Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga mbështetëset më të vendosura të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Emërimi i një të dërguari të posaçëm që iu bashkohet të dërguarve të posaçëm të SHBA, BE dhe Britanisë është një sinjal i mirëpritur vëmendjeje dhe përkushtimi ndaj rajonit tonë, për të cilin e falënderova z. Sarrazin e përmes tij edhe qeverinë gjermane.

Ky vendim që do të kishte qenë i mirëpritur e me një rëndësi të posaçme në çdo kohë, merr një domethënie akoma më të madhe në situatën e sotme, kur kriza e Ukrainës dhe agresioni rus ndaj atij vendi kanë treguar qartë se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në rajonin tonë, si një rajon ecuria dhe zhvillimet në të cilin kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata në sigurinë e vetë BE-së.

Ajo për të cilën biem dakord është që sot rajonit i nevojiten veprime konkrete nga ana e BE-së. Fjalë të mira kemi dëgjuar shumë, por sot është koha për të vepruar e për të shënuar arritje të prekshme. Duke filluar sigurisht nga caktimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare e duke vazhduar domosdoshmërisht me artikulimin e një vizioni të qartë e të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit, sidomos në zonat ku sot ka më shumë tensione e potencial për konflikt. Dhe le të mos harrojmë që potenciali për konflikt në rajonin tonë, ende përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë pikë tjetër në 20 vitet e fundit.

“Në këtë kontekst”, shtoi Xhaçka, “dhënia e një perspektive të qartë dhe një angazhim i prerë dhe i vendosur për Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, duke filluar me liberalizimin e merituar të vizave për Kosovën, do të ishin hapa të mirëpritur e të dobishëm”.

E garantova z. Sarrazin që Shqipëria ashtu siç ka bërë tradicionalisht do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon.