Bota

Kryeimunologu amerikan Fauci: “Delta është asgjë para variantit të ri të COVID”-it!

Momentalisht, shqetësim kryesor në nivel global përbën varianti Delta i koronavirusit, i shfaqur fillimisht në Indi por i shtrirë në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë ku dje rastet ishin 132.

Por duhet të përgatitemi për më keq. Kryeimunologu amerikan, Anthony Fauci jep alarmin se mutacioni i radhës mund të jetë edhe më ngjitës se Delta. Fauci thekson rëndësinë për të frenuar përhapjen sidomos përmes vaksinave anti-COVID. Amerika mbetet vendi më i goditur nga COVID-19 dhe të dhënat tregojnë nivele të larta infektimesh mes atyre që nuk janë vaksinuar. 93 milion amerikanë vazhdojnë të refuzojnë.

Në një intervistë televizive, Fauci deklaroi:

Nëse vjen një tjetër variant aftë të transmetohet me shpejtësi të lartë e shumë më i rëndë, atëherë do të jemi në telashe. Personat që nuk vaksinohen e kanë gabim kur mendojnë se kjo lidhet vetëm me ta. Nuk është kështu, ka të bëjë edhe me gjithë të tjerët.

Anthony Fauci iu kujton amerikanëve se janë me fat që po marrin vaksina, të cilët deri tani iu kanë rezistuar varianteve të koronavirusit por ndoshta jo më për një kohë të gjatë nëse mutacionet rezultojnë më të rënda se aktualet.

Sipas Universitetit “Johns Hopkins”, në javën e fundit, Shtetet e Bashkuara regjistruan një mesatare prej 94 mijë infektimesh në ditë, rritje me 48% krahasuar me të kaluarën.

Në Italinë fqinje e në vendet e tjera të Bashkimit Europian gjithashtu, konfirmohet dominimi i variantit Delta. Për të parandaluar një përhapje të mëtejshme, theksi vihet te vaksinimi. Gjithashtu, në Itali sot hyri në fuqi certifikata e COVID-it, e detyrueshme edhe për udhëtarë e ata që hyjnë në restorante.

Ndërkaq, frika nga Delta ka bërë që në kryeqytetin kinez, Pekin, të ndalohen eventet apo aktivitetet që kërkojnë pjesëmarrje masive.