Aktualitet Politikë

Kryemadhi akuza Ramës për kërcënime ndaj SPAK-ut!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, reagoi për deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama. Kryemadhi u shpreh se “Rama ka vendosur partinë e tij në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve”. Në një postim në rrjetet sociale, drejtuesja e LSI-së shkruan:

Në vitin 2016 miratuam me 140 vota dhe ndihmën e SHBA-BE një reformë në drejtësi që të hiqnim përfundimisht duart e politikës nga drejtësia.

Sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij. Gjithçka e thënë me logon e partisë socialiste në sfond.

Moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme! Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta.

Reformën në Drejtësi e konceptuam dhe miratuam me 140 vota që të mos ishte ‘Ramaforma’ e radhës. Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vetingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.

Një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. Tik Tak ora jote po afron!

Më herët, në konferencën nga selia rozë me kryeministrin Rama, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se “vetting-u ka kaluar në “sitë” 530 gjyqtarë dhe prokurorë, 197 të shkarkuar, 50 të dorëhequr dhe janë bërë kallëzime vetëm për 19 subjekte”. Duke folur për pavarësinë e drejtësisë, ministri Manja theksoi se “vetting-u pastroi llumin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë”.

Vendimet e gjykatës kanë të drejtë t’i komentojnë akademikët për qëllime studimi dhe jo ne si forcë politike. Ama, të kërkosh performancën e institucioneve të drejtësisë jemi në të drejtën tonë kushtetuese dhe ligjore. Performanca në sistemin e drejtësisë është diçka e matshme dhe e vlerësueshme, e referuar gjithë standardeve ndërkombëtare për drejtësi të pavarur.