Bota

Kryeministri britanik Johnson: Perëndimi të vazhdojë të mbështesë ukrainasit!

Pas një vizite të papritur në Kiev, kryeministri britanik Boris Johnson tha se “Perëndimi duhet të vazhdojë të mbështesë ukrainasit, ndërsa ata luftojne për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia”.

Do të ishte një katastrofë, nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të pretendonte fitoren. Ukraina nuk duhet të nxitet për të pranuar një “paqe të keqe”, e që thjesht do të ishte preludi i një ofensive të përtërirë ruse.

Gjithashtu, shefi i qeverisë së Londrës mbrojti vendimin e tij për t’u tërhequr nga një konferencë e konservatorëve veriorë të premten, në mënyrë që të mund të takohej me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ishte e rëndësishme të demonstrohej mbështetja e Britanisë së Madhe në një kohë kur ukrainasit po vuajnë tmerrësisht përballë ofensivës së vazhdueshme ruse, në Donbas.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të shkosh në Ukrainë në një kohë veçanërisht kritike. Shqetësimi ynë është se lodhja e Ukrainës ka filluar të shfaqet në mbarë botën. Eshtë shumë e rëndësishme të tregojmë se jemi pranë tyre për një kohë të gjatë dhe po u japim qëndrueshmërinë strategjike që u nevojitet.

Në bisedimet me presidentin Zelensky, Johnson deklaroi se “Britania e Madhe është e gatshme të trajnojë qindra mijëra trupa ukrainase teksa ata vazhdojnë të luftojnë kundër rusëve”.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Ukrainase njoftoi sot se “trupat ruse po përqendrojnë përpjekjet kryesore në drejtim të Severodonjeckut dhe Bakhmutit”.

Trupat ruse po bombardojnë pozicionet e forcave ukrainase dhe infrastrukturën civile në zonën e qytetit Lisiçansk, ngjitur me Severodonjeckun, si dhe vendbanime të tjera. Këtë e bëjnë me artileri topash e sisteme raketash me shumë lëshime. Rusia po përpiqet të kontrollojë edhe Sllavianskun.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se “lufta në Ukrainë mund të vazhdojë me vite” e kërkoi furnizime me armë të fundit për Kievin, edhe nëse “kostot janë të larta”.