Bota

Kryeministri hungarez Viktor Orban: “Fitova kundër të gjithëve, edhe kundër Sorosit e Zelenskyt!”

Nuk ka më dyshime, Viktor Orban është fitues i zgjedhjeve në Hungari, që u zhvilluan një ditë më parë. Me koalicionin të përbërë nga partia e tij Fidesz dhe nga kristian-demokratët e Kdnp-së, fitoi 134 nga 199 vendet në Parlament. Rezultat zhgënjyes për opozitën pro-europiane. Në zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit, me kryeministrin Orban në garë për mandatin e 4-rt radhazi, pjesëmarrja ishte 67.8%, rënie e lehtë krahasuar me 4 vjet më parë.

Në fjalimin e fitores, Orban vuri në dukje se fitoi kundër të gjithëve!

Kjo fitore e katërta radhazi është më e rëndësishmja pasi morëm pushtetin kundër një opozite që krijoi aleancë. Por, sërish fituam! Fituam edhe në nivel ndërkombëtar, kundër globalizmit, kundër Sorosit, kundër mediave europiane e gjithashtu kundër presidentit ukrainas. Fidesz përfaqëson një forcë konservatore patriotike e të krishterë, është e ardhmja e Europës. Hungaria e para!

Një fjalim që u prit me ovacione nga mbështetësit dhe që me frazën e fundit, të kujton fjalët e Donald Trump-it kur thërriste:

America first!

Lufta në Ukrainë u kthye në temë të fushatës zgjedhore në Hungari kur në mbështetje të opozitës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu referua Orbanit si “i vetmi në Europë që mbështet hapur Putinin”.

Nuk kam frikë ta thërras luftën me emrin e tij, kjo quhet ndershmëri, por është diçka që i mungon Viktor Orbanit e ndoshta e ka humbur diku në marrëdhëniet e tij me Moskën.

Nuk përjashtohet mundësia që pikërisht ndërhyrja e Zelensky-t dha efektin e kundërt, pasi u krijua ideja se fitorja e opozitës do ta tërhiqte Hungarinë në luftë, duke autorizuar kalimin e armëve drejt Ukrainës përmes territorit hungarez.

Hija e manipulimeve zgjedhore

Organizata joqeveritare Hungarian Civil Liberties Union sinjalizoi për parregullësi në zgjedhje. Në Hortobagy, qytet në Hungarinë lindore, pushteti lokal vuri në dizpozicion autobusë të posaçëm që njerëzit të dërgoheshin për të votuar. Nuk është rastësi që OSBE-ja angazhoi 200 vëzhgues për të ndjekur procesin zgjedhor në Hungari, diçka a pazakonte për një vend anëtar të Bashkimit Europian.

Por, fituesi i zgjedhjeve u mund në referendumin mbi ligjin kundër promovimit të homoseksualitetit te të miturit. Referendumi rezultoi nul për mungesë kuorumi.