Rajoni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: Nuk komentoj dokumente pa autorë!

Gjatë një konference për shtyp, pas hapjes së “Samitit Digjital” në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se “qarkullojnë dokumente të ndryshme”, por se ai beson se “nuk është as e dobishme e as drejtë” që t’i komentojë “të tilla dokumente pa autorë, por që bëhen për të matur pulsin e qytetarëve dhe politikanëve”. Sipas tij, “vetëm dokumentet që prodhohen në Bruksel duhet të komentohen”.

Gjatë fundjavës u publikua një dokument për të cilin u tha se ishte “korniza e re” e propozuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas këtij dokumenti, “njohja reciproke nuk është më pjesë e marrëveshjes finale, por që ndër tjera Kosovës i garantohen njohjet e pesë vendeve të BE-së”.

Kurti deklaroi se normalizimi i raporteve me Serbinë duhet të bëhet me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, “ku në qendër duhet të jetë njohja reciproke”. Për “kornizë të re” për dialogun foli më 10 shtator edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç. Ai deklaroi se gjatë vizitës në Beograd të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, iu ofrua një dokument, por ai refuzoi që ta pranonte. Më 15 shtator, Mirosllav Lajçak zhvilloi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi. Lajçak vuri në dukje se “qëllim i vizitës së tij në Prishtinë është avancimi i këtij procesi”.

Lajçak theksoi se “në takim u bisedua për vazhdimin e dialogut dhe për takimin e ardhshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç”. Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të këtij procesi. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë.