Rajoni

Kryeministri i Kosovës, Hoti: “Nuk e jap dorëheqjen”

Kryeministri Avdullah Hoti thotë se: “Në Kosovë, partitë parlamentare kanë dy opsione: të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordësohen për datën e zgjedhjeve”. Nga zyra e Hotit, theksohet se “informacionet në media për dorëheqjen e tij nuk janë të vërteta”.

“Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Z. Avdullah Hoti, njofton opinionin publik se informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër mediat për dorëheqjen e Kryeministrit janë të pa vërteta. Kryeministri Hoti ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime, arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19. Duke ju referuar zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, Kryeministrit Hoti, e ka bërë të qartë qëndrimin se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e ka përmendur dorëheqjen si opsion”,-thuhet në komunikatë.

Brenda disa muajve, në Kosovë duhet të zgjidhet Presidenti i ri. Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të nëntorit dhe u dërgua në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte e kundër njerëzimit nga Prokuroria e Specializuar.