Rajoni

Kryeministri i Kosovës, Kurti: “Sulmet në veri, terroriste!”

“Sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri ishin terroriste, me qëllim për të vrarë”. Komentet u bënë sot nga kryeministri Albin Kurti, pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.

Iu takon organeve të rendit të hetojnë ata që sulmuan dhe për të vlerësuar situatën e sigurisë, për hapat që duhet të ndërmarrim ditët në vijim, që të pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët dhe sulme që kishin për qëllim të vrasin. Fatmirësisht, nuk patëm dëme në njerëz dhe asnjë pjesëtar i policisë nuk është lënduar.

Sa i përket strukturave ilegale serbe dhe krimit të organizuar në veri, Kurti u zotua për zero tolerancë.

Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar, kurrë nuk do të ketë një gram tolerancë nga qeveria, nga shteti i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga policia!

Kryeministri u pyet nga gazetarët për deklaratat e presidentit serb, Vuçiç lidhur me vajtjen e një avioni të Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë. Albin Kurti kërkoi të mos merren si fakte deklaratat që vijnë nga Beogradi.

Deklaratat të cilat vijnë nga Beogradi nuk duhet kurrsesi t’i merrni si fakte, këtë na e mëson e kaluara dhe e tashmja jonë. Natyrisht që ne e kemi shtuar shumë buxhetin për mbrojtjen e Kosovës. Eshtë rritur me 52 përqind në vitin 2022 krahasuar me 2021-shin. Por, për të gjitha hapat e mëtejshëm duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu, Kurti foli lidhur me marrëveshjen për targat:

Në datën 21 prill është afati i fundit që të merren vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty. Ndërkaq, për aspektet teknike e kemi Grupin tonë Teknik, që merr pjesë atje, si dhe kryenegociatorin, i cili po bisedon si ta gjejmë një zgjidhje. I padiskutueshëm dhe i panegociueshëm është parimi i reciprocitetit, si thelb i çdo zgjidhjeje të ardhshme.