Rajoni

Kryeministri Kurti flet për masat e reciprocitetit me Serbinë!

Kryeministri Albin Kurti thekson se “vendimi i qeverisë mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ndihmon vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë”. Komentet i bëri pas reagimeve të nxitura nga vendimi që makinave me targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e të lëshuara nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS, deri më 30 shtator të këtij viti.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano konfirmoi se BE-ja u njoftua në fillim të javës për vendimet e Kosovës lidhur me targat e dokumentet e identifikimit, por nuk u këshillua për planet e qeverisë Kurti.

Sipas marrëveshjeve të viteve 2011 e 2016 në bisedimet Prishtinë-Beograd për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat me shkurtesën KM, të lëshuara nga Serbia. Marrëveshjet thonë qartë se do të përdoren vetëm targat e lëshuara nga Kosova. Por, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, që të përgatitet e zbatohet në këshillim të ngushtë me qytetarët e prekur e në përputhje me praktikat e mira europiane.

Bashkimi Europian pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale e bashkëpunimin, për të mirën e qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Tre ditë më parë, kabineti Kurti vendosi gjithashtu që personat të cilët hyjnë në Kosovë me dokumente personale serbe, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë.

Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti Aleksander Vuçiç, i cili mbrëmjen e së mërkurës u takua me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian, Mirsollav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës.

Kryeministri Kurti nënvizoi se “Serbia po bën gabim me paralajmërimet për tërheqje nga bisedimet”, ndërsa tha se “Kosova është e gatshme për takimet e planifikuara që të mbahen gjatë këitj muaji në Bruksel”.