Rajoni

Kryeministri Kurti: “Krahasimi me Kosovën i rajoneve në Ukrainë është injorancë!”

Për kryeministrin Albin Kurti, “deklarata e presidentit rus, Vladimir Putin për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një shteti tjetër më të vogël, nuk është asgjë më shumë se gënjeshtër”.

Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë.

Kurti i bëri komentet gjatë një fjalimi në platformën “Front Page” të Këshillit Atlantik në Uashington.

Shefi i Kremlinit e ka përmendur disa herë Kosovën. Për herë të fundit, më 26 prill, gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Nëse Kosova mundi të shpallë pavarësinë, përse nuk munden Donjecku e Lugansku?!

Këto janë dy rajone separatiste ukrainase dhe që në shkurt të këtij viti, Moska i njohu si shtete të pavarura. Kryeministri i Kosovës, Kurti thekson:

Mohim, shmangie e mashtrim! Kjo ishte dhe ende është strategjia e Rusisë në Ukrainë. Tani është adoptuar edhe nga përfaqësuesja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Serbia.

Ekspertë të të drejtës ndërkombëtare shprehen se “nuk qëndrojnë krahasimet mes Kosovës e rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës”. Sipas tyre, “dallimi qëndron në faktin që Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur”.

Një shtet mund të ekzistojë nëse përmbush tre elementë që kanë të bëjnë me territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin drejtues.

Kurti shtoi se “për shkak të raporteve të ngushta me Rusinë, Serbia po refuzon që të sanksionojë Moskën për agresionin në Ukrainë”. Ai paralajmëroi se Moska është e interesuar që të “hapë fronte të tjera betejash”, duke theksuar se “rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të kërcënohet nga këto qëllime”.

Duke patur parasysh marrëdhëniet e lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës, si dhe faktin se Republika Sërpska në Bosnje kontrollohet nga Moska, po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor, fatkeqësisht është i lartë. Për këtë është i rëndësishëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Europian, pasi moszgjerimi i BE-së do të jetë gjithmonë një ftesë për aktorët e huaj që kërcënojnë sigurinë e Europës.