Rajoni

Kryeministri Kurti: Të mos harrojmë krimet e Serbisë në Kosovë!

Kryeministri Albin Kurti tha sot se “krimet e Serbisë në Kosovë nuk duhen harruar asnjëherë dhe duhet kërkuar drejtësi e falje”. Në konferencën “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale e Paqes, Kurti deklaroi se “duhet të bëhet pranimi i krimit, që të arrihet pajtimi”.

Gjithçka do të kishte rrjedhur tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako-policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkim-falja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi.

Endrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pacënueshme shihen atje ku janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës. Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik, gjeoekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh duket se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë e të qëndrueshme. Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese.

11 qershori i vitit 1999 shënon ditën e hyrjes në Prishtinë të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe forcave që gjatë luftës kishin vepruar ilegalisht në kryeqytet. Serbët kishin filluar tërheqjen, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor, po të vitit 1999.

Më 12 qershor, nisën depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s, paqeruajtësit e KFOR-it e më pas edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e të tjera organizata ndërkombëtare.